Publikuar më: 06/12/2023
Muzhaqi: Inaugurohet biblioteka e re dhe qendra rinore Kamëz
Bora Muzhaqi, e shoqëruar nga Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe Kryetari i Bashkisë Kamëz, Rakip Suli morën pjesë në inaugurimin e bibliotekës së re dhe qendrës rinore në Kamëz, të rikonstruktuara këto të fundit me mbështetjen financiare të Agjencisë Kombëtare të Rinisë.
Gjatë vizitës, në bibliotekën e re të qytetit me mbi 1000 libra, u zhvillua edhe një bashkëbisedim me disa nga të rinjtë e qytetit Kamëz mbi rëndësinë e bibliotekës për qytetin, si edhe hapësirave rinore ku të rinjtë mund të realizojnë aktivitete që rrisin përfshirjen në jetën sociale, por edhe ndikojnë në zhvillim personal të tyre.
Në fjalën e saj, Muzhaqi theksoi “Të rinjtë e qytetit kanë tashmë ambiente bashkëkohore për të shpenzuar kohën e lirë, por sigurisht edhe për thelluar më tej njohuritë e tyre në fusha të ndryshme.”
Inaugurimi vijoi më tej në qendrën rinore, ku fëmijë dhe të rinj kishin filluar tashmë ekspozitën e tyre të parë të pikturave.