Publikuar më: 09/12/2023

Muzhaqi: Inagurohet qendra rinore në Petrelë, hapësira moderne për të rinjtë

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Bora Muzhaqi, në cilësinë e Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, e shoqëruar edhe nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe CEO i Raiffeisen Bank për Shqipërinë, Christian Canacaris përuruan Qendrën Rinore në Petrelë.

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, tha se kjo Qendër Rinore do jetë një bizhu shumë e bukur për Petrelën. “Sa herë që bëjmë investime të tilla vjen pas një bashkëpunimi shumë të mirë mes qeverisë, bashkisë, por edhe me biznesin, si në këtë rast. Kënaqësia më e madhe është që jemi këtu, edhe për t’i dhënë sot një dhuratë shumë të bukur të rinjve të Petrelës. Unë bashkohem me Erionin dhe mendoj se kjo nuk është vetëm një dhuratë për të rinjtë që ka kjo zonë, por mbi të gjitha është një dhuratë për të gjithë komunitetin. Dikur këtu ishte një ndërtesë e rrënuar, që nuk përdorej nga askush, dhe tashmë është bërë një bizhu shumë e bukur e kësaj zone”, tha Bora Muzhaqi.

Kryetari Bashkisë, Erion Veliaj shprehet se kjo qendër rinore t’i shërbejë edhe komunitetit të zonës, si një qendër multi-funksionale.
“Ambicia ime, por edhe e ministres dhe e miqve të Raiffeisen, është që kjo të mos jetë vetëm një qendër rinore, por një qendër multi-funksionale. Ne duhet ta kthejmë këtë hapësirë në një zyrë komunitare, ku mblidhen kryepleqtë, ku mblidhen senatorët e rinisë, ku mblidhen aktivistët e shoqërisë civile, ku mblidhen artistët. Njësoj siç kemi krijuar edhe një hapësirë tjetër për ekspozita dhe art kontemporan në Petrelë. Ndaj, pasioni apo dëshira ime do ishte që kjo qendër të gëlojë, të ziejë nga jeta. Si për rastet sfiduese me emergjencat natyrore, si për raste gëzimi”, u shpreh ai.

CEO i Raiffeisen Bank për Shqipërinë, Christian Canacaris tha se: “Ky nuk është vetëm një investim për rininë, por edhe për të ardhmen e Shqipërinë. Kjo Qendër Multifunksionale u jep mundësinë të rinjve të lexojnë dhe studiojnë. Projekti është shumë i bukur dhe Raiffeisen do të japë gjithmonë mbështetjen e saj për nisma të tilla.”.