Publikuar më: 06/10/2023

Muzhaqi çel Forumin Rinor të Ballkanit Perëndimor: Zhvillimi i Samitit të liderave të Procesit të Berlinit në Tiranë, tregues se BE është e angazhuar për integrimin e Ballkanit

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, në statusin e përfaqësueses së qeverisë shqiptare në Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor, çeli sot, “Forumin Rinor të Ballkanit Perëndimor” në bashkëpunim me Z. Michael Reiffenstuel, Drejtori i Ballkanit Perëndimor nga Republika Federale e Gjermanisë, mbështetës të vazhdueshëm të misionit të rëndësishëm të RYCO, dhe me Klajdi Priska, Përfaqësuesi Rinor i Shqipërisë në Bordin Drejtues të RYCO, që këtë vit e kryeson vendi ynë.

Në fjalën e saj hapëse ministrja Muzhaqi, si kryetare e Bordit drejtues të RYCO, falenderoi dhe mirëpriti të gjithë të pranishmit, për Forumin Rinor të Ballkanit Perëndimor 2023.

“Si kryetare e Bordit Drejtues të RYCO dhe në cilësinë time si Ministre përgjegjëse për Rininë në Qeverinë e Shqipërisë, dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen në Tiranë dhe t’ju uroj të gjithëve që të përjetoni dy ditë të gëzueshme dhe produktive aktivitetesh.” u shpreh ministrja Muzhaqi e cila vijoi më tej duke shprehur rëndësinë e këtij forumi në kuadër të Samitit të Berlinit, i cili mbahet për herë të parë në Shqipëri.

“Forumi Rinor i Ballkanit Perëndimor, i cili është një event vjetor i organizuar nga RYCO krahas Samitit të Procesit të Berlinit, për mendimin tim ka një rëndësi të shtuar këtë vit, pasi për herë të parë Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit do tëzhvillohet në një nga vendet e Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri, më 16 tetor. Ky është një tregues se BE-ja po rinovon angazhimin e saj ndaj këtij procesi, si dhe jep një mesazh të qartë për synimin e saj për të rritur nivelin e angazhimit dhe pranisë në rajon. Për këtë arsye, u bëj thirrje të gjithë 90 pjesëmarrësve, të rinjve dhe palëve të interesuara, të bashkojmë forcat dhe përpjekjet në punën tonë sot dhe nesër gjatë forumit, dhe shpresojmë të arrijmë një artikulim të qartë dhe një rezolutë të përbashkët për çështjet dhe pengesat që po ngadalësojnë rrugën e progresit për të rinjtë tanë dhe të gjejmë mënyrën për zgjidhjen e tyre. Një rezolutë e tillë, nëse realizohet me një zë të unifikuar, do të jetë manifesti ynë i të rinjve në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit dhe mesazhet e tij me siguri do të rezonojnë brenda dhe përtej vendit ku do të zhvillohet samiti.” shtoi Muzhaqi.

E teksa, Ballkani Perëndimor po përjeton disa trazira, ministrja Muzhaqi tha se sa e rëndësishme është që rinia të qëndrojë e bashkuar për të ecur përpara.
“Ne, si qytetarë të Ballkanit, jemi përballur edhe me sfidat tona, disa të reja e disa të vjetra në kohë, dhe aktualisht ju të gjithë keni lexuar e dëgjuar për to, madje disa prej jush e keni përjetuar vetë përshkallëzimin e konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe rritjen e nevojës për dialog paqësor dhe normalizimin e diskursit. Në këtë tablo jo aq të ndritur, ka një hapësirë për t’u mbushur nga të rinjtë si dhe veprime që duhet të ndërmerren nga të rinjtë e vendeve tona për të ridrejtuar rrjedhën e politikës së brendshme dhe rajonale drejt një këndi më të arsyeshëm dhe të sigurt për të ardhmen e të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor.” u shpreh Muzhaqi duke theksuar se të rinjtë mund të ndryshojnë botën duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin.
Forumi Rinor i Ballkanit Perëndimor, do të vijojë me një rrugëtim me tren “Balkan Youth Express”, ku do të përfundohet deklarata e të rinjve që do të prezantohet në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit.