Publikuar më: 29/09/2023
Muzhaqi: 23 projekte fituese për fuqizimin e të rinjve/ nënshkruam marrëveshjet me 23 organizata, fituese nga Thirrja e Tretë e Agjencisë Kombëtare të Rinisë
Nën drejtimin e Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Rinisë, u nënshkruan marrëveshjet e bashkëpunimit me 23 organizatat rinore dhe/ose për të rinjtë, projektet e të cilave janë shpallur fituese nga Thirrja e tretë për projekt-propozime rinore, që po financohet me mbështetjen e qeverisë nëpërmjet AKR-së.
Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi në fjalën e saj tregoi për ecurinë e thirrjes për projekt-propozime rinore, duke theksuar që është një nga proceset më të rëndësishme të Agjencisë Kombëtare të Rinisë për mbështetje e të rinjve dhe që zhvillohet për të tretin vit radhazi.
“Ky është viti i tretë që ne hapim thirrjen për projekt-propozime nga organizatat rinore dhe/ose për të rinjtë, qëllimet e të cilave janë në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Rinisë 2022-2029 për fuqizimin e të rinjve në çdo qytet të Shqipërisë. Në thirrjen e parë u shpallën fituese 12 projekte nga organizatat dhe 4 nga bashkitë, shtrirja e të cilave nuk ishte në shumë zona të Shqipërisë, por në thirrjen e dytë që u përditësua me anë të metodologjisë LOD u shpallën fituese u shpallën 24 projekte nga organizatat dhe 5 projekte nga bashkitë. Në thirrjen e tretë, për të cilën edhe jemi mbledhur sot së bashku, janë shpallur fituese 23 projekte nga organizatat rinore dhe/ose për të rinjtë të cilat do të fillojnë zbatimin së shpejti.” tha ministrja Muzhaqi.
Për sa i përket thirrjes së tretë ministrja Muzhaqi shtoi se vjen me një standard të ri të procesit të aplikimit dhe vlerësimit, atë të metodologjisë LOD e cila përkon me rritjen e transparencës, eficencës, besueshmërisë, kontrollit dhe monitorimit dhe njëkohësisht rritjen e kapaciteteve të stafit që menaxhon këtë Thirrje.
E rëndësishme, sigurisht është edhe mbështetja financiare për këto projekte, për të cilën ministrja Muzhaqi sqaron:
“Mbështetja financiare këtë vit, ashtu si edhe vjet ka ardhur nga buxheti i shtetit ashtu edhe nga donatorët, respektivisht: UNICEF, UNDP dhe UNFPA. Totali i grantit për mbështetjen e organizatave rinore dhe/ose për të rinjtë në këtë thirrje është 58.000.000 Lekë nga buxheti i shtetit dhe afro 6.000.000 Lekë nga donatorët. Shuma maksimale për projekt-propozimet nga organizatat rinore është 1.500.000 lekë, ndërsa për organizatat për të rinjtë është 3.500.000 lekë.” tha ministrja Muzhaqi.
Organizatat rinore dhe/ose për të rinjtë, përgjatë 12 muajve të ardhshëm do të implementojnë projektet, në kuadër të të cilëve do të fuqizojnë të rinjtë në qytete të ndryshme të Shqipërisë si, Kuçovë, Lezhë, Sarandë, Peshkopi, Burrel, Bulqizë, Elbasan, Belsh, Peqin, Tiranë, Durrës, Pogradec, Bilisht, Gramsh, Cërrik, Dimal, Berat, Himarë, Vlorë, Shkodër, Fier, Malësi e Madhe, Sarandë, Kukës, Mirditë, në përputhje me tre qëllimet politike të Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029 për nxitjen e pjesëmarrjes së të rinjve në proceset vendimmarrëse dhe mbështetjen e aktivizmit shoqëror dhe qytetar të tyre, nxitjen e punëve të denja dhe ndërlidhjes së të rinjve me tregun e punës dhe mbështetjen e mirëqenies aktive, të shëndetshme, fizike, sociale, kulturore dhe mendore e të rinjve.