Publikuar më: 01/06/2024
Ministrja Bora Muzhaqi uron fëmijët për 1 Qershorin, festë në Librazhd
Bora Muzhaqi, Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët zgjodhi që festën e 1 Qershorit këtë vit ta festojë me fëmijët e Librazhdit. Në aktivitetin e organizuar në Parkun e Qershive për më shumë se 4 orë fëmijët luajtën dhe u argëtuan duke mësuar së bashku, mbi kujdesin ndaj bimëve, edukimit financiar, sigurisë rrugore, artit dhe sportit.
Përveç Kryetarit të Bashkisë së Librazhdit Mariglen Disha, Zv. Ministres së Shëndetësisë Denada Seferi, Drejtoreshës së ASHMF Alma Tandili, Drejtoreshës së World Vision Albania Eljona Elmazi, Edina Kozma nga UNICEF, Anila Meço nga Save the Children, Enkelejda Kallçiu nga Terre des Hommes, kësaj feste iu bashkua edhe zonja e parë, Amanda Begaj e cila vizitoi këndet e organizuara dhe u njoh nga afër me fëmijët me të cilët diskutoi edhe mbi pasionet e dëshirat e tyre.
Muzhaqi u shpreh se institucioni që ajo drejton synon që të nxisë edukimin tek fëmijët dhe të rinjtë përmes argëtimit.
“Ky 1 Qershor na gjeti me fëmijët e mrekullueshëm të Librazhdit ku kishim organizuar një sërë aktivitetesh për të festuar këtë ditë. Kishim një kënd shumë të bukur të bujqësisë ku fëmijët mësuan si të mbjellin dhe të kujdesen për ambientin, kishim një kënd shumë të bukur të edukimit financiar ku ne mësuam sesi duhet të kursejmë para, por edhe ti investojmë ato, por dhe shumë organizime sportive të cilat nuk mungojnë asnjëherë në aktivitetet tona, si volejboll, basketball, ping-pong e karate”.
Sipas Muzhaqit, të gjitha këto projekte synojnë që fëmijët të angazhohen në aktivitete me vlerë për edukimin e tyre pa e ndjerë këtë si detyrë apo kërkesë nga të rriturit. Një tjetër projekt shumë I rëndësishëm është “Tradita në Valle”, i mbështetur nga Agjencia Kombëtare e Rinisë, përmes të cilit 100 të rinj nga gjithë Shqipëria mësojnë vallet tona të bukura duke kontribuar kështu në ruajtjen dhe përcjelljen e tyre në breza. Në këtë 1 Qershor këta të rinj ndaluan në Librazhd dhe përshëndetën fëmijët dhe të rriturit me vallet popullore nga të gjitha trevat të sjella aq bukur dhe me mjeshtëri prej tyre.