Publikuar më: 05/05/2023
Mbahet workshop-i midis Qeverisë së Shqipërisë dhe Bankës Botërore për zgjerimin e mëtejshëm të Programit të Kodimit në Shkolla
Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi mori pjesë në workshop-in tre ditor të realizuar midis Qeverisë së Shqipërisë, Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Bankës Botërore me qëllim shtrirjen e mëtejshme të Programit të Kodimit në Shkolla. Të pranishëm ishin edhe dy bashkë-drejtorët e AADF-së z. Martin Mata dhe z. Aleksandër Sarapuli, dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Evis Kushi, të cilët janë njëkohësisht dhe aktorë kontribues në implementimin dhe mbarëvajtjen e Programit të Kodimit në Shkolla.
Gjatë workshop-it 3 ditor fokusi kryesor i diskutimeve dhe punës së grupit ishin ndërtimi i 200 laboratorëve të rinj inteligjentë me kushte bashkëkohore dhe të përshtatura për fëmijë me aftësi të kufizuara.
Ndër të tjera, filluan diskutimet dhe hartimi i kurikulës së Programit të Kodimit për klasën e dytë. Kujtojmë që Programi i Kodimit në shkolla ka filluar në shtator të 2022, në kuadër të të cilit janë ngritur 100 laboratorë inteligjentë në të gjithë Shqipërinë.