Publikuar më: 29/03/2024

MBAHET PANAIRI I RADHËS I EDUKIMIT, TRAJNIMIT DHE PUNËSIMIT NË QARKUN FIER

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Ditën e sotme, Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi në kuadër të nismës “Panair Edukimi, Trajnimi dhe Punësimi në çdo qark” organizoi panairin e radhës në qarkun e Fierit me 30 aktorë që ofruan mundësi për mbi 200 të rinj në fusha të ndryshme si teknologjia, arti, bujqësia dhe zejet duke i prezantuar të rinjtë me mundësi lokale dhe kombëtare trajnimi dhe punësimi, në përputhje me profilin e tyre.

Së bashku me ministrin Taulant Balla dhe kryetarin e bashkisë Mariglen Disha, Ministrja vizitoi çdo stendë të aktorëve që ofrojnë shërbime për të rinjtë për t’u siguruar që oferta është në stndardet e duhura, por njëkohësisht edhe për të biseduar me të rinjtë për të kuptuar nevojat e tyre.

Përsa i përket edukimit të të rinjve, veç arsimit të lartë në fokus ishte edhe arsimi profesional si një nga prioritetet e qeverisë për të orientuar të rinjtë drejt profesioneve që u përshtaten dhe për të cilat tregu ka nevojë. Për më tepër, në panair të rinjtë u njohën edhe me programet e qeverisë si Programi i Kodimit dhe Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, si dhe me projektet rinore që zbatohen në qarkun e Fierit me financimin e Agjencisë Kombëtare të Rinisë.

Nisma “Panair Edukimi, Trajnimi dhe Punësimi në çdo qark” e lançuar në muajin qershor 2023 nga Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, zhvillohet në kuadër të plotësimit të qëllimit të dytë politik të Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029 me qëllim informimin e të rinjve mbi mundësitë që kanë në dispozicion për edukim, trajnim dhe punësim. Kjo nismë deri më tani ka informuar rreth 2,600 të rinj në 9 qarqe të vendit, dhe do të vijojë edhe në qarqet e tjera me qëllimin për të shkuar pranë të rinjve të vendit tonë.