Publikuar më: 19/03/2024

MBAHET MBLEDHJA E DYTË E KËSHILLIT KOMBËTAR TË RINISË

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Me kërkesë të Këshillit Kombëtar të Rinisë (KKR) që funksionon si organ këshillues pranë ministrit përgjegjës për rininë u zhvillua takimi i dytë me anëtarët e KKR-së, me praninë edhe të drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Rinisë. Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët në cilësinë e kryetarit të KKR-së drejtoi mbledhjen, ku anëtarët e Këshillit Kombëtar të Rinisë diskutuan dhe propozuan zgjidhje për disa nga çështjet që ata parashtruan, duke filluar nga ndërveprimi KKR – KVR, për të kaluar më tej tek rritja e mundësive të fuqizimit të KKR-së për të qenë më pranë të rinjve dhe për të tejçuar zërin e tyre.

Në fokus të bisedës ishte edhe thirrja e tretë e Agjencisë Kombëtare të Rinisë për grante për njësitë e vetëqeverisjes vendore, për të cilën u prezantuan të gjitha procedurat transparente të ndjekura përgjatë thirrjes, dhe projektet fituese për 6 hapësirat rinore që do investohen në bashkitë e Fierit, Matit, Malësisë së Madhe, Sarandës, Librazhdit, dhe Korçës.

Një tjetër pikë diskutimi ishte edhe rishikimi i Ligjit 75/2019 “Për Rininë”, për të cilin KKR-në do të jetë i pranishëm në çdo hap për të rishikuar çdo hapësirë që duhet plotësuar që ligji të jetë i zbatueshëm dhe produktiv në shërbim të të rinjve.