Publikuar më: 15/06/2023

KVR e 59-të / Ngrihet Këshilli Vendor Rinor i Tiranës

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi së bashku me Nënkryetaren e Bashkisë, Keti Luarasi dhe Drejtoreshën e Rinisë, Iva Beharaj morën pjesë në mbledhjen e zhvilluar në Bashkinë Tiranë me pjesëmarrjen e shumë të rinjve pjesë e grupimeve të ndryshme nga çdo komunitet apo grup vulnerabël, në mënyrë që të gjithë të jenë të përfaqësuar dhe të dëgjuar.

Gjatë mbledhjes janë përcaktuar detyrat e secilit prej anëtarëve të Këshillit Vendor Rinor Tiranë që tashmë kanë një angazhim shumë të rëndësishëm, për të përcjellë zërin e të rinjve të kryeqytetit pranë Kryetarit të Bashkisë, duke i bërë kështu ata pjesë të procesit të vendimmarrjes lokale.

Në kuadër të plotësimit të qëllimeve dhe masave të Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029 për fuqizimin e zërit të të rinjve në procesin e vendimmarrjes lokale, janë ngritur strukturat e Këshillave Vendorë Rinorë në 59 bashki nga 61 në total, për t’ju ardhur në ndihmë të rinjve të çdo qyteti për të përcjellë kërkesat e tyre pranë bashkisë përkatëse, duke fuqizuar kështu zërin e tyre në proceset vendimmarrëse lokale.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Muzhaqi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes qeverisjes qendrore dhe asaj vendore, për zbatimin e politikave rinore në vend, jo vetëm si një strukturë formale por edhe si një entitet funksional që këshillon dhe harton dokumente për politikat rinore në nivel lokal.

Këshilli Vendor Rinor shërben si mekanizëm ndërlidhës ndërmjet bashkisë dhe komunitetit rinor, për të evidentuar problematikat dhe sfidat që hasen nga të rinjtë në territorin ku jetojnë, njëkohësisht edhe për rritjen e përfshirjes së tyre në politikëbërje.