Publikuar më: 22/04/2022

Kujdesi shëndetësor në shkolla, Muzhaqi: Do të zhvillojmë më tej aftësitë e fëmijëve dhe të rinjve me kurse jashtëshkollore

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, të premten e 22 prillit, bashkë me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, dhe ministren e Arsimit e Sportit, Evis Kushi, kanë prezantuar Programin e Ri të Kujdesit Dentar për fëmijët në shkolla.

Në fjalën e rastit, nga ambientet e shkollës “Jeronim De Rada”, ministrja Muzhaqi tha se “qëllimi ynë është t’iu plotësojmë nxënësve nevojat e tyre bazike, duke e konvertuar shkollën në një mjedis ku jo vetëm mësohet por edhe ofrohet përkujdes në shëndetin e tyre”.

“Jam e bindur që kjo punë fantastike që Ministria e Shëndetësisë ka bërë me përmirësimin dhe krijimin e këtyre kabineteve dentarë me një cilësi kaq të lartë, do iu mundësojë fëmijëve të marrin përkujdes cilësor dentar”.

Gjithashtu, ajo theksoi se shkolla si qendër komunitare do të zhvillohet akoma më tepër.

“Në shtator do ta zhvillojmë më tej konceptin e shkollave si qendër komunitare. Kjo me krijimin e kurseve të veçanta që të rinjtë do t’i ndjekin falas, në ambientet e shkollës, me një ekip të mirë profesionistësh”, tha Muzhaqi, duke shpjeguar se kjo do t’i ndihmojë fëmijët dhe të rinjtë të zbulojnë dhe të zhvillojnë më tepër talentet e tyre.

Ndërsa u shpreh e bindur se do të rritet numri i shkollave ku fëmijët përfitojnë shërbimet e paketës së kujdesit dentar, ministrja e Shtetit solli në vëmendje dhe investimin madhor me 100 laboratorë teknologjikë.

“Me fillimin e vitit të ri shkollor, ne do të investojmë në 100 laboratorë teknologjikë për t’iu ofruar të rinjve dhe fëmijëve mundësi jo vetëm në kujdesin shëndetësor por edhe në zhvillimin e aftësive të tyre në fushën e teknologjisë”, bëri të ditur Muzhaqi.

Programi i ri i Depistimit të Shëndetit dhe Kujdesit Dentar për Fëmijët është një investim i Ministrisë së Shëndetësisë  e cila ka mundësuar 10 kabinete të reja dentare për shkollat e Tiranës.

Duke iu ofruar fëmijëve të grup-moshës 6-14 vjeç përkujdes cilësor dentar, depistimin periodik, edukim shëndetësor për ruajtjen dhe kujdesin e dhëmbëve si dhe shërbime konkrete, si fluorizimi, pastrimi i gurëzave si dhe trajtimet urgjente apo mjekimet e patologjive të indeve të buta.

Më shumë se 11 mijë nxënës në këto 10 shkolla të kryeqytetit do të jenë përfituesit e parë të këtij shërbimi, për t’u shtrirë më pas në gjithë vendin.

Ky investim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vjen në kuadër të programit të ri “Shëndeti në shkolla”, që mbështet shëndetin dhe mirërritjen e fëmijëve.