Publikuar më: 14/04/2022
Konferenca për Reformën në Arsimin dhe Formimin Profesional
Të nderuar ambasadorë, donatorë, përfaqësues të sektorit publik e privat, përfaqësues të shoqërisë civile, dhe të dashur përfaqësues të gjeneratës R,
Më kujtohet kur në gushtin e vitit kaluar takova për herë të parë Afrimin dhe Ensuedën e shkollës profesionale Kamëz, në një nga takimet për konsultimin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë. Fjalia e parë që përmëndën ishte për cilësinë e lartë e infrastrukturës në shkollën e tyre, laboratorët e rinj të teknologjisë, ku ata mund të mësonin teknologjinë e informacionit, e madje një pjesë e madhe e tyre studionin pikërisht këtë.
Kisha dëgjuar shpesh për reformën në sistemin e arsimit profesional nga kolegë të Ministrisë së Financave, por duke dëgjuar vetë nxënësit për përmirësimet në shkollat e arsimit profesional, kuptova se është bërë vërtet një punë e mirë. Takimi me nxënësit e Kamzës ishte vetëm i pari, se në muajt në vijim kam takuar dhe shumë nxënës të tjerë që frekuentonin shkollat profesionale në Lezhë, Shkodër, Dibër, Korçë, Kukës.
Dhe qëndrimi i tyre ishte i njëjtë: tregonin gjithmonë për infrastrukturën e cilësisë së lartë, por edhe cilësinë e lartë të mësuesve që i trajnonin. Jam e bindur që dhe ju dje që keni dëgjuar Viktorian, nxënësen e Herman Gmeiner, keni kuptuar pikërisht këtë.
Gjej rastin të falenderoj donatorët që kanë mbështetur qeverinë Shqiptare në realizimin e këtyre reformave, pa të cilët nuk do të kishte qënë i mundur një zhvillim kaq i lartë në një kohë të shkurtër. Një falenderim i veçantë për Delegacionin Evropian, Ambasadën Zviceriane, dhe UNDP.
Një tjetër aspekt që kam vënë re nga takimet me nxënësit e shkollave profesionale është sa të artikuluar dhe të përgatitur janë ata në fushat që studiojnë. Impresionuese ti dëgjosh, e mbi të gjitha përbën një tregues të qartë të rezultatit të reformave të ndërmarra në arsimin profesional. Qeveria Shqipëtare, prej vitesh tashmë e ka konsideruar arsimin profesional si garanci për zhvillimin ekonomik të vendit.
Çdo vit e më shumë, për edukimin e tyre, të rinjtë shqiptarë i kanë “kthyer sytë” drejt arsimit profesional, duke e parë atë si një mundësi reale për punësim. Qëllimi i këtyre reformave është ndërlidhja e ngushtë e arsimit profesional me ofruesit e punëve në fushat që nxënësit studiojnë, si dhe lehtësimi i tranzicionit nga shkolla në punë. Prandaj edhe sot një pjesë e madhe e pjesëmarrësve por edhe të të ftuarve që do të dëgjoni në vijim janë pikërisht nga bota e biznesit, të cilët ndër vite kanë treguar se i njohin dhe i vlerësojnë nxënësit e arsimit profesional.
Sfida më e madhe e viteve në vijim do të jetë hapja e drejtimeve të reja që janë në linjë me kërkesat e tregut gjithmonë e në zhvillim, duke u përqëndruar edhe në prioritetet e qeverisë, tregun e teknologjisë së informacionit dhe turizmin. Qëllimi dhe sfida për t’u arritur është që nxënësit e arsimit profesional të dalin në tregun e punës me paga të barabarta por pse jo edhe më të larta se ata që kanë studiuar në universitete.
Një nga masat që duam të ndërmarrim nëpërmjet Strategjisë Kombëtare të Rinisë është edhe përfshirja e këshillimit të karrierës që në klasën e 9-të, për t’i lejuar nxënësve mundësinë për të përzgjedhur shkollat e arsimit profesional që në fazën më të parë, një shqetësim ky i ngritur si nga nxënësit e arsimit profesional, por edhe nga nxënësit e gjimnazeve.
Qëllimi jonë është të informojmë nxënësit për mundësitë që kanë, që të gjejnë drejtimin e tyre të karrierës sa më herët në jetë, në mënyrë që të fitojnë aftësi profesionale dhe të arrijnë majat e zhvillimit profesional. Siç thotë ajo shphreja, gjej një punë që të pëlqen e do të duket sikur nuk do punosh asnjë ditë në jetën tënde.
Nga bisedat me të rinjtë që studiojnë në shkolla profesionale, një shqetësim që më është shprehur jo pak herë është rezistenca e prindërve të tyre për t’i dërguar në shkolla profesionale, shpesh kjo edhe për shkak një mentaliteti të vjetër ku shkollat profesionale shihen si më pak të denja se universitetet apo gjimnazet e përgjithshme.
Sot realiteti ka ndryshuar, dhe tashmë shkollat profesionale jo vetëm në Shqipëri por edhe në gjithë botën shihen si ofruese të edukimit të cilësisë së lartë, që ofrojnë shumëllojshmëri degësh studimi, duke filluar nga Gjergj Canco në Tiranë që ofron programe si TIK dhe Elektro-teknikë e shkolla e mesme teknike ekonomike Antoni Athanas në Sarandë që ofron programe për hoteleri turizëm. Megjithatë, pavarësisht cilësisë së lartë të shkollave profesionale falë reformave të realizuara, ka ende nevojë për ndërgjegjësim me këtë fushë, e prandaj detyra jonë është informimi i nxënësve por edhe i prindërve lidhur me këtë fakt.
Prandaj jam e gëzuar që kolegu, Klevisi, drejtuesi i AKPA, tashmë ka filluar një fushatë informimi dhe sensibilizimi në të gjithë Shqipërinë, lidhur me cilësinë e edukimit në arsimin profesional.
Unë e di që do ti bashkohem në cdo moment, për tu siguruar që ne bashkarisht të ndryshojmë këtë mentalitet, për tu siguruar që arsimi profesional të shihet si i barazvlefshëm me universitetet, sepse njohuritë që mësojnë studentët ndonëse në fusha të ndryshme kanë një vlerë po aq të barabartë për një treg e gjithmonë më në nevojë për njerëz profesionistë të të gjitha fushave.
Është e qartë për shumë nga ju që jeni sot këtu, se arsimi dhe formimi profesional e bën më të lehtë gjetjen e një pune, por detyra jonë është të vijojmë më tej me ndërgjegjësimin e qytetarëve me këtë fushë.
Një tjetër risi, për të cilën jemi duke punuar bashkarisht me koleget e Ministrisë së Financave është edhe programi flamur i Bashkimit Evropian, garancia rinore, që ka qëllim përfshirjen e të rinjve që nuk janë në edukim, punësim apo trajnim.
Një nga objektivat e para të identifikuara në këtë program është ngritja e një mekanizmi që identifikon të rinjtë që nuk janë në edukim, punësim apo trajnim, dhe regjistrimin e tyre në sistemin publik, në mënyrë që të bëhej adresimi i duhur për secilin rast.
Një tjetër objektiv është edhe ofrimi i një platforme gjithëpërfshirse për të rinjtë ku mund të identifikojnë mundësi për arsim të mëtejshëm, trajnime, praktika pune, por edhe punësim.
Reforma e arsimit dhe formimit profesional është thelbësore në ndërtimin e një shoqërie me vlera që i mundëson gjeneratës së re të plotësojnë nevojat e të sotmes dhe të përballen me sfidat e së nesërmes.
Jam e bindur që kjo konferencë është një hap në drejtimin e duhur për ndërlidhjen e gjithë partnerëve duke filluar nga nxënësit dhe studentët, te përfaqësuesit e sektorit publik dhe mbi të gjitha edhe përfaqësusit e sektorit privat.
Ju uroj një vijim të mbarë të konferencës, shpresoj të jetë sa më e frytshme për gjithë pjesëmarrësit.