Publikuar më: 12/04/2024

Java Globale e Parasë 2024, Muzhaqi i përgjigjet studentes së drejtësisë duke bërë një bilanc të punës që është bërë deri më tani për rininë

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

‘Rinia nuk ka mbështetje’, kështu u shpreh një studente e Fakultetit të Drejtësisë në një aktivitet të zhvilluar nga Ministria për Mbështetjen e Rinisë dhe Fëmijëve, që kishte në fokus edukimin financiar që në moshë të hershme.

“Gjatë gjithë kohës ju folët, vetëm për investime, depozitim e kursim. Po fitimi? Në këndvështrimin tim personal rinia nuk ka aspak mbështetje për punë, që nga studentët, kemi një bursë mediokre sepse nuk mendoj se ajo bursa prej 10-mijë lekësh të reja është ndonjë suport, sidomos për studentët që vijnë nga rrethet”, u shpreh studentja.

Elira Sulshabani, studente në vitin e katërt në Fakultetin e Drejtësisë, teksa kërkoi më shumë mbështetje nga shteti, u shpreh se shumë flitet e asgjë konkrete s’ka për të rinjtë, që po përballen me çmime stratosferike të qirave të apartamenteve.

“Po ashtu mendoj edhe rrogat mund të marrin studentët nuk janë fare mbështetëse, duke marrë parasysh, përjashtuar ata që jetojnë në konvikte, sepse në konvikte nuk mund të rehabilitohen të gjithë studentët e Tiranës, qiratë e shtëpive janë në stratosferë që nuk mendoj që një student mund ti përballojë vetëm. A nuk mendoni se duhet të merrni nisma të tjera për të mbështetur studentët për të gjetur punë? Ndoshta të merrni nisma si në ministri, si ministre e rinisë që të hapni punë të reja? Ju çfarë do të bëni për rininë, se deri më tani për rininë folët por asgjë nuk u tha, konkretisht?”, u shpreh studentja në aktivitetin e organizuar në Kuadër të Javës Globale të Parasë.

Ministrja për Rininë, Bora Muzhaqi iu përgjigj duke bërë një bilanc të punës që është bërë deri më tani për rininë. Ministrja u ndal tek Strategjia Kombëtare për Rininë, duke thënë se kjo është hera e parë që vendi ynë ka një strategji me në fokus fuqizimin, arsimimin dhe punësimin e të rinjve.

Muzhaqi përmendi edhe Këshillat Vendor Rinorë të ngritur në 61 bashkitë e vendit, për fuqizimin e të rinjve dhe evidentimin e problematikave të tyre.

“E para është Strategjia Kombëtare për Rininë, e para herë që ne kemi një strategji të mirëfilltë për rininë, për vitet 2022-2029. Risia është që vjen me mbështetje buxhetore 80% të kostos së kësaj strategjie. Kjo strategji ka tre fusha kryesore, fuqizimin e të rinjve, arsimin, punësimin dhe pjesën e mireqenies së të rinjve. Nëse flas për fuqizimin, vajza që ke ngjitur është anëtarë e Këshillit Vendor Rinor të Durrësit. Kemi 61 Këshilla Vendor Rinorë që përfaqësojnë të gjithë të rinjtë në vendin tonë dhe kanë si fokus kryesor ngritjen e problematikave”, u shpreh ministrja.

Më tej ministrja u ndal edhe tek punësimi, duke shpjeguar se përmes praktikave të punës, çdo vit punësohen 200 të rinj, ndërsa përfitojnë edhe 600 të tjerë. Ministrja informoi të renë edhe për faqen, puna.gov.al, duke thënë se aktualisht janë 5600 vende të lira pune ku të rinjtë mund të aplikojnë.

Sa i takon pjesës së pagave, Muzhaqi theksoi rritjen e pagave për administratën duke shtuar se kjo ka një efekt zinxhir dhe do ndikojë edhe në rritjen e pagave të sektorit privat.

“Kemi pjesën e arsimit dhe punësimit. Nëse hap faqen puna.gov.al ka gjithsej 5600 vende pune të lira për të aplikuar në çdo moment. Sa i takon pjesës se pagave, kemi iniciativat e mira që kemi marrë për rritjen e pagave në sektorin publik dhe kjo nuk ndodh vetëm në sektorin publik, se ka një efekt edhe në pjesën e sektorit privat.

Sa i takon praktikave të punës, programi i praktikave punëson çdo vit 200 të rinj. Jo vetëm i punëson dhe 600 të rinj marrin pjesë në programin e praktikave dhe marrin eksperienca dhe njohuri të vlefshme që u shërbejnë”, iu përgjigj të resë ministrja Muzhaqi.

Në fund ministrja kërkoi nga të rinjtë që ndajnë me njëri-tjetrin këto informacione, me qëllim që t’u shkohet në ndihmë sa më shumë të rinjve.