Publikuar më: 23/05/2022

Fjala në Kuvend për miratimin e marrëveshjes që ka si synim administrimin e Butrintit nga AADF

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

E nderuar drejtuese e Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

 

Ndërsa kam parë dhe dëgjuar këto javët e fundit kolegë të opozitës, të cilët me zhurmë dhe indinjatë të madhe, kanë vënë kujën nëpër komisione të Kuvendit dhe studio televizive, duke u përpjekur  të bindin qytetarët shqiptarë se këtu po ndodh vjedhja e shekullit, po shitet Butrinti tek privati!!!

Tani se sa pa bazë dhe qesharak është ky pretendim, këtu u diskutua shumë dhe kolegët parafolës dhanë gjithë argumentet shteruese për secilën prej pretendimeve, prandaj unë nuk dua të harxhoj kohën time duke përsëritur çfarë u tha, por dua të ritheksoj vetëm tre elementë për qytetarët që na ndjekin:

  1. Pronësia e Butrintit nuk ndryshon, i mbetet shtetit shqiptar.
  2. Plani i zhvillimit të Butrintit parashikon një investim prej 7.5 milionë dollarë në shtatë vitet e para që do të ngrejë kapacitetet e qendrës me rreth 295 mijë vizitorë në vit dhe 300 mijë dollarë grante për banorët vendas që jetojnë në zonat përreth Butrintit.
  3. Çdo investim në Butrint do ti mbetet shtetit shqiptar.

Aty ku unë do të doja të ndalesha pak më shumë dhe të them dy fjalë që besoj janë të rëndësishme për t’u mbajtur në vëmendje në këtë debat, qoftë nga kolegët deputetë, por sidomos nga qytetarët shqiptarë që po na ndjekin, lidhet me partnerin tonë në këtë nisëm, Fondacionin Shqiptaro-amerikan për Zhvillim. Një fondacion që investon dhe dhuron fondet e veta ndër vite në Shqipëri dhe nuk e bën këtë as për publicitet apo për reklamë, po për një Shqipëri më të mirë.

Ndoshta ju që jeni këtu jo, por qytetarët e Korçës e kanë parë atë tabelën e vogël të Pazarit të Korçës që tregon se është investim i përbashkët me Fondacionin Shqiptaro-amerikan për Zhvillim. Një element që tashmë është bërë sinonim i qytetit të Korçës dhe i ka ndryshuar jo vetëm pamjen pazarit por e ka kthyer Korçën në një destinacion kulture, kulinarie dhe turizmi, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të huajt që ndajnë postimet më të bukura nga ky pazar.

Ndërkohë unë jam e bindur që banorët e 9-katsheve dhe të Pazarit të Tiranës e mbajnë mënd mirë se si, kur kalonin nga pazari, duhet të ndërronin rrugën nga era kundërmuese e atij ambienti jashtë standardeve të një tregu normal të gjësë së gjallë dhe të pakonceptueshëm për qendrën e një kryeqyteti evropian. Tani pazari është kthyer jo vetëm në një ambient të përshtatshëm ku prindërit bashkë me fëmijët e tyre kalojnë pasdite të këndshme duke luajtur në sheshin pranë pazarit, por është kthyer edhe në një pazar dinjitoz që të kujton Borough Market në Londër, duke funksionuar jo vetëm si pazar po edhe si pikë turistike. Një investim tjetër ky i bërë në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-amerikan për Zhvillim.

Do mund të flisja gjerë e gjatë për gjithë investimet e kryera në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-amerikan për Zhvillim, sot si ministre, por deri dje si qytetare e thjeshtë që i kam parë këto investime të ndryshojnë jetën e shqiptarëve.

Do mund t’ju flisja edhe për Qafën e Pazarit të Gjirokastrës, edhe për qendrën historike të Vlorës që u ka rikthyer vlonjatëve historinë e tyre dhe iu ka dhënë të gjithë shqiptarëve një pikë turistike për të vizituar. Do ju flisja me shumë dëshirë edhe për muzeun Marubi në Shkodër. Nuk e di a keni pasur rast ta vizitoni, po nuk ka asnjë ndryshim midis Marubit dhe muzeve evropianë.

 

Do mund t’ju flisja me shumë kënaqësi edhe për TUMO-n, një hapësirë e dedikuar për fëmijët, ku Fondacioni Shqiptaro-amerikan për Zhvillim mbështet ofrimin e kurseve të programimit për fëmijët dhe mundësinë që fëmijët tanë t’i aksesojnë këto kurse me pagesa minimale, falë financimit të saj.  Vetëm disa javë më parë kam pasur rastin të flas me fëmijët që ndjekin këto kurse, prindërit e tyre edhe trajnuesit profesionistë, e kam parë se sa e çmojnë ata këtë mundësi të dhënë.

Një vajzë 14-vjeçare e cila kishte rreth 1 vit e gjysmë që ndiqte kurset më tregoi lojën interaktive që kishte dizajnuar dhe programuar vetë, falë trajnimit dhe mundësisë së ofruar nga programi.

E duke qenë se shumë fëmijë e të rinj mezi po presin të bëhen pjesë e këtij programi, fakt ky që dëshmohet nga lista e gjatë e pritjes për regjistrim, tashmë në bashkëpunim me AADF po rindërtohet Piramida që do t’u ofrojë fizikisht dhe teknikisht mundësinë gjithnjë e më shumë fëmijëve dhe të rinjve, të përfitojnë nga këto kurse dhe të mësojnë e argëtohen duke u aftësuar me kompetencat digjitale.

Në këtë vazhdë dua t’ju flas dhe për një nismë të re të cilin kemi muaj që po punojmë në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-amerikan për Zhvillim, që quhet  programi i kodimit që në klasë të parë. I cili do të fillojë zbatimin në 100 shkolla fillore anembanë Shqipërisë duke filluar nga ky shtator.

Më lini t’ju shpjegoj çdo të thotë kjo për fëmijët tonë.

Rreth 7,500 fëmijë të klasave të para në shtator do të hyjnë në laboratorë kompjuterikë të standardeve bashkëkohore dhe do të mësojnë aftësitë e të ardhmes, atë të kodimit, me mësues të trajnuar dhe me një platformë online moderne që përdoret në vendet më të zhvilluara në fushën e teknologjisë.

Përveç 7,500 fëmijëve të klasave të para që do përfitojnë nga paketa e plotë e mësimit të kodimit që në klasën e parë, 100 laboratorët teknologjikë që do të ndërtohen në bashkëpunim me AADF do të mund të përdoren nga të gjithë fëmijët e shkollave 9 vjeçare ku këto laboratorë do të vendosen.

Mbi 65,000 fëmijë do të kenë akses në laboratorë teknologjisë së fjalës së fundit për të zhvilluar orën e teknologjisë së informacionit në këto shkolla.

Këto shkolla janë përzgjedhur për të pasur një shpërndarje gjeografike sa më të drejtë në të gjithë Shqipërinë, për t’u siguruar që në çdo zonë të Shqipërisë fëmijët të përfitojnë nga ky program që ka si qëllim që në vitet e ardhshme të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, pas zhvillimit me sukses të fazës së parë në 100 shkolla të vendit.

3.37 milionë dollarë do të investohen nga AADF në këto 4 vite, për të pajisur laboratorët e 100 shkollave me kompjuterë bashkëkohorë, për të siguruar ekspertizën kombëtare dhe ndërkombëtare për hartimin e kurikulave të lëndës së teknologjisë së informacionit në shkollat fillore publike. Gjithashtu për trajnimin e mësuesve të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit për katër vitet e ardhshme dhe për prokurimin e platformës online interaktive për të mbështetur mësimdhënien në këto shkolla.

Kjo nisëm në këtë formë vështirë se do të ishte e realizueshme pa pasionin, kontributin dhe mbështetjen e stafit të Fondacionit, të cilin unë pata rastin ta shihja në vetë të parë.

Arsyeja pse ndalova pak më shumë në këtë program nuk ishte për t’ju treguar mbi punën dhe investimet e AADF në Shqipëri, se jam e bindur që dhe opozita e sotme, që kur ishte në pushtet e dekoronte dhe sot në opozitë e anatemon, i ka të qartë të gjitha punët e mira dhe investimet e bëra nga AADF-ja.

 

Por desha të ndalesha më shumë për qytetarët shqiptarë, për tu rikujtuar dhe një herë atyre veprat dhe mbështetjen që Fondacioni Shqiptaro-amerikan për Zhvillim ka dhënë, po jep dhe do japë për përmirësimin e jetës së tyre. Do t’i lutesha të ndalonin pak e të mendonin se ku po e çon gjithë kjo baltë e derdhur në mënyrë kaq të pa përgjegjshme dhe kaq të furishme nga përfaqësuesit e tyre në këtë Kuvend. A janë këto veprime në linjë me ndjenjën e mirënjohjes së çdo shqiptari apo me ftohtë akoma, a përputhen të gjitha këto me interesat e tyre?  A e kemi ne luksin të rrezikojmë investimet që Fondacioni po bën përditë në arsim, kulturë, turizëm dhe përmirësimin e jetës së fëmijëve dhe të rinjve Shqiptarë?!

Unë mendoj që jo! Kjo që po ndodh është sa e dëmshme aq edhe e papranueshme. Dhe nëse nuk më besoni mua apo nuk na besoni ne si qeveri apo si mazhorance, që ky projekt dhe ky bashkëpunim do të sjellë shumëfish vlerë për parkun e Butrintit, trashgëminë kulturore dhe komunitetin e Ksamilil.

…mos na dëgjoni ne, mbyllni televizorin, dilni jashtë dhe hidhni sytë rreth e qark, kudo ku punoni ose jetoni dhe jam e bindur që do të gjeni të paktën diçka të mirë të bërë falë bashkëpunimit të kësaj qeverie me Fondacionin Shqiptaro-amerikan për Zhvillim.

Faleminderit dhe ftoj të gjithë deputetët ta votojnë këtë nismë!