Publikuar më: 21/10/2021

Fjala e plotë e Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët në Parlament për projektligjin e autorëve të krimit seksual

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

E nderuar Kryetare e Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

Eshtë gjithmonë më e parapëlqyer për mua që të shfrytëzoj këtë foltore e të flas për programet e shumta që po punojmë të ngrejmë për të përmirësuar dhe zbukuruar jetën e fëmijëve dhe të rinjve tanë, krahasuar me historitë e shkeljes së të drejtave të tyre, apo dhe mbi atë që konsideroj më mizoren prej tyre, dhunën dhe krimet seksuale që ushtrohen nga të njohur dhe të pa njohur.

E megjithatë, kjo mizori është përhapur boll mes nesh dhe si e tillë duhet frenuar dhe penguar të cënojë qoftë edhe një jetë më shumë të riu apo fëmije.

Më lejoni gjithashtu t’ju kujtoj edhe përgjigjet e qytetarëve shqiptarë në Këshillimin Kombëtar, ku 81% e qytetarëve kanë kërkuar dyfishimin e dënimit dhe heqjen e gjykimit të shkurtuar për autorët që kryejnë dhunë në familje dhe krime ndaj fëmijëve.

Kushdo që kryen krime ndaj një krijese të pafajshme siç janë fëmijët duhet të marrë dënime shembullore.

E tmerrshme të lexosh lajmet që janë kthyer në kronika të zeza me kriminelë, që abuzojnë dhe dhunojnë fëmijët, të rinjtë, vajzat e gratë. Krime të tilla ndaj fëmijëve, të rinjve dhe vajzave kryesojnë çdo lajm në çdo media, dhe mizorisht kriminelë dhe monstra të tillë do të ketë gjithmonë, prandaj ky ligj është një hap i domosdoshëm për të ulur shkallën e përsëritjes së veprave të tilla.

Të nderuar kolegë, tashmë Shqipëria ndodhet përpara një rrugëtimi të shumë ëndërruar, atij për në Bashkimin Evropian.

Një rrugëtim, të cilin kemi fatin ta drejtojmë ne si gjeneratë, për të arritur këtë qëllim kaq të dëshiruar për fëmijët dhe të rinjtë tanë, që brezi jonë të mos jetoj me ëndrrën e prindërve tanë, ku fëmijët e tyre trajtohen si të barabartë, në kufijtë e botës, në shkollat e botës, në punët e botës. Prindërit tanë nuk e patën këtë fat dhe mundësi që të përpiqeshin çdo ditë për t’i çuar fëmijët e tyre aty ku u takon, në Bashkimin Evropian me të drejta të barabarta me shtetasit evropianë, por brezi ynë e ka këtë mundësi të artë.

Shumë punë është bërë në këto vite, treguar kjo në raporte të Komisionit Evropian, dhe e artikuluar nga drejtuesit e vendeve evropiane, por rruga mbetet e gjatë, e tani më shumë se kurdoherë ka nevojë për përbashkim dhe kohezion.

Kemi një mundësi të artë për të bërë Shqipërinë, ashtu si fëmijët dhe të rinjtë tanë e meritojnë dhe e ëndërrojnë.

Gjithashtu, do doja të përgëzoja grupin e nismëtarëve të dy proktligjeve fillestare, deputeten Erisa Xhixho; Qendrën për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri CRCA/ECPAT dhe rrjetin e saj; qendrën “Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza”; shoqatën “Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri”; qendrën “Aleanca Gjinore për Zhvillim”, si dhe organizatat nën ombrellën e tyre.

Si dhe mbi 20.000 qytetarët shqiptarë të cilët në ushtrimin e të drejtës së tyre kushtetuese si zgjedhës kanë mbështetur propozimin e një ligji që ka në thelb, vendosmërinë përbashkuese, pa dallim ane apo ngjyrimi politik, për të mbrojtur fëmijët tanë.

Një nga kriteret bazë të Kopenhagenit për anëtarësimin në BE lidhet me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ky projektligj është në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian në lidhje me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.

Projektligji është ndërtuar duke marrë për model eksperiencat më të mira të ligjeve të njëjta ose të përafërta, të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe nga modelet e vendeve të tjera me përvojë të konsoliduar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Projektligji mbështetet në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që e ka konsideruar këtë praktikë në përputhje me parashikimet dhe standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Unë besoj që ngritja e regjistrit të krimeve seksuale do të adresojë problematikën në mënyrë sistematike për disa arsye:

  • Si fillim përmes këtij instrumenti do lehtësohet hetimi dhe gjurmimi i individëve në regjistër për parandalimin e krimeve të reja.
  • Ndërkohë, përmes kësaj nisme organet ligjzbatuese do të kenë mundësi të identifikojnë dhe përditësojnë vendndodhjen e autorëve të krimeve seksuale dhe do të monitorojnë me mjete të përshtatshme aktivitetin e tyre.
  • Mbi të gjitha duke parandaluar punësimin e këtyre autorëve të krimeve seksuale në vende pune që lidhen me fëmijët. Këtu përfshihet, verifikim i statusit të çdo mësuesi, infermieri, mjeku, kujdestari ligjor, punonjës i institucioneve të përkujdesit shoqëror, edukatorë, punonjës bashkiak në qendra kulturore, e shumë të tjerë veprimtaria e të cilëve ka lidhje me fëmijët do të verifikohen me anë të këtij regjistri, për të siguruar që këta autorë të mos kenë kurrë mundësinë të jenë afër fëmijëve tanë.

Të nderuar kolegë, sot kurorëzohet një punë, për të cilën organizatat e shoqërisë civile janë përpjekur për vite me rradhë dhe deputetët e këtij parlamenti kanë punuar nga muaji nëntor i shkuar. Ajo ç’ka lexohet në frymë dhe në gërmë të këtij ligji reflekton punën dhe propozimet e të gjithëve ju, e si rrjedhojë duhet ta konsideroni si fitoren tuaj.

Unë besoj se sot duhet të jemi të përbashkuar dhe krenarë se kemi bërë një hap të mbarë dhe të rëndësishëm drejt mbrojtjes së fëmijëve tanë, prandaj ju ftoj ta miratoni pa mëdyshje atë.

Bëjeni për të ardhmen e tyre! Vendosni fëmijët të parët!