Publikuar më: 26/02/2024

FJALA E PLOTË E MINISTRES MUZHAQI NË KONFERENCËN “RINIA 2030”

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Ikja nga vendi nuk është zgjidhje, as ka qenë dhe as do të jetë kurrë zgjidhje – thotë i madhi Ismail Kadare.

Historia e kombit shqiptar është e shënjuar nga fenomenet e eksodëve, shpërnguljeve dhe largimeve të popullsisë. Disa prej tyre kanë qenë të shtyra nga nevoja e ruajtjes së jetës, që nga koha e largimeve pas vdekjes së Skëndërbeut dhe deri tek shpërnguljet e shqiptarëve të Kosovës 25 vite më parë. Të tjera, të shtyra nga liria e munguar si ato të viteve 90-të, apo dhe largimi i shqiptarëve në kërkim të një jete më të mirë që vijon ende.

Pra, ikja nga vendi nuk është as ngjarje e re dhe as fenomen modern, por një bashkëshoqërues i popullit tonë, që thjesht është bërë ku e ku më i lehtë sot prej politikave të lëvizjes së lirë në BE dhe vende te tjera, si dhe lehtësimit të transportit dhe komunikimit ndërkombëtar.

Megjithatë, Ismail Kadare në po të njejtën intervistë ku fliste për faktin që ikja nuk është zgjidhje, na tërhiqte vëmendjen të bënim kujdes e mos ta justifikojmë ikjen e popullit, pasi nuk përligjej vetëm me arsyet ekonomike. Ai e lidhte këtë fenomen me një psikozë të krijuar në shoqëri, një ligështim moral, shumë, shumë të trishtueshëm. E për t’ju përgjigjur kësaj psikoze të trishtë që fatkeqsisht trumbetohet dhe shumfishohet, ca me pa të keq e shpesh me qellim, brenda mjedisit tonë mediatik, do të desha në të mirë të të rinjve, ta nisnim këtë konferencë për Rininë 2030, pikërisht nga diskutimi i fenomenit të largimit të të rinjve.

Të rinjtë përbëjnë 22% të popullsisë së Shqipërisë, mbeten grupi demografik më i madh në vend dhe faktori kyç në zhvillimin dhe përparimin e vendit për dekadat e ardhshme. Megjithatë shumë prej tyre zgjedhin ta jetojnë dhe ndërtojnë jetën e tyre larg vendit tonë.

A mundet qeveria ta ndalojë largimin e të rinjve?
A duhet qeveria ta ndalojë largimin e të rinjve?

Këto janë pyetje që zënë një hapsirë të rëndësishme në diskutimet tona, mes ministrave, me kryetarët e bashkive, me shoqërinë civile, me partnerët strategjikë, mes këshillave vendorë rinorë, me këshillin kombëtar rinor, dhe me të rinjtë.

Përgjigjja e kësaj pyetje është e qartë, ndonëse jo e thjeshtë për tu përtypur.

Përgjigjja është JO.

Qeveria as nuk duhet, e as nuk mundet e vetme ta ndalojë apo frenojë largimin e të rinjve!

Por, Qeveria dhe gjithë shoqëria duhet të punojnë bashkërisht e me ritme të shpejta për të ndërtuar mundësi dhe mbështetjen e nevojshme që të rinjtë të gjejnë veten si partnerë aktiv në zhvillimin e Shqipërisë, dhe pikërisht ky, është vizioni i Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029.

Shqipëria që kërkojnë dhe meritojnë të rinjtë shqiptarë, nuk ndërtohet vetëm, nuk ndërtohet nga një individ, nuk ndërtohet vetëm nga qeveria, nuk ndërtohet vetëm nga bashkia, nuk ndërtohet vetëm nga shoqëria civile, por ama ndërtohet duke bashkuar fuqitë dhe duke punuar që vendi ynë të jetë çdo ditë më mirë se dje.

Sot do dëgjoni në fjalët përshëndetëse dhe panelet shumë aktoriale, qasjen tonë të përbashkët për pëmirësimin e mundësive, shërbimeve dhe mbështetjes për të rinjtë, që Shqipëria të mos jetë vendi ku lindën dhe kanë prindërit, po vendi ku ndërtojnë jetën dhe rrisin fëmijët.

Përmenda pak më herët se Shqipëria ndërtohet bashkë, prandaj dua të ndaj me ju disa nga punët që kemi zhvilluar përgjatë këtij viti në kuadër të zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Rinisë.

Strategjia Kombëtare e Rinisë ka 3 qëllime strategjike: fuqizimin e të rinjve, përmirësimin e aftësive të tyre për qasjen në tregun e punës duke përforcuar mundësitë në arsim, teknologji dhe inovacion, si dhe sigurimin e mirëqënien e të rinjve. Për fuqizimin e të rinjve gjatë vitit të parë të zbatimit të Strategjisë kemi themeluar 61 këshilla vendorë rinor, kemi mbështetur 47 organizata rinore me projekte rinore të zbatuara në gjithë Shqipërinë, kemi ngritur 9 hapsira rinore në bashki të ndryshme të vendit nga veriu në jug.

Për të përmirësuar qasjen e të rinjve në tregun e punës, kemi zhvilluar programin kombëtar të praktikave të punës për të hapur dyert e administratës për të rinjtë, janë mbështetur të rinjtë në fushën e teknologjisë me anë të programit të kodimit, është pilotuar programi flamur i Bashkimit Evropian i garancisë rinore për ata që ende nuk kanë gjetur rrugën e duhur të karrierës, është themeluar agjencia e start-upeve dhe fondet për startup-et që mbështesin sipërmarrjen e të rinjve, si dhe shumë nisma janë ndërmarrë për ndërkombëtarizimin e universiteteve për ofrimin e diplomave të dyfishta.

Për të rritur mirëqënien e të rinjve janë ndërmarrë inciativa si paketa e sigurisë në shkolla, programi i ekipeve sportive që përfshin 10,000 të rinj të angazhuar në basketboll dhe volejboll me stërvitje 3 herë në javë, pa asnjë kosto për prindërit. Ndërkohë për të zhvilluar talentet e të rinjve, kemi zbatuar programin jashtë orarit mësimor që ka angazhuar 10,000 të rinj në art, zeje, e teknologji. E mbi të gjitha jemi koordinuar që siguria dhe mirëqënia e të rinjve të jetë kryefjalë e çdo politike.

Viti i shkuar ka qënë një vit i gjatë dhe produktiv në zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë, e prandaj dua t’ju marr në një rrugëtim me nismat kryesore që kemi realizuar për të fuqizuar, aftësuar dhe siguruar mirëqënien e të rinjve.

Në bashkëpunim me bashkitë dhe shoqërinë civile kemi fuqizuar të rinjtë duke i angazhuar ata në 61 këshilla vendorë rinorë, ku të rinjtë janë bërë pjesë aktive e vendimmarrjes për zhvillimet e qytetit të tyre, dhe përfaqësojnë denjësisht bashkëmoshatarët e tyre. Mbetet ende punë për tu bërë që këto struktura të konsolidohen dhe të operojne si mekanizma pa të cilat nuk merren dot vendime për zhvillimin e bashkive të Shqipërisë sonë, por jam besimplotë se jemi në rrugën e duhur.

Kemi themeluar Këshillin Kombëtar Rinor, ku studentët dhe të rinjtë e angazhuar në shoqëri civile konsultojnë çdo politikë në nivel qëndor, dhe japin sugjerimet e tyre mbi mbështetjen që ne i mundesojme të rinjve tanë anë e mbanë vendit.

Gjatë vitit të parë të zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Rinisë, kemi mbështetur 47 projekt propozime të organizatave rinore, ku vete ato përmes mbështetjes tonë dhe angazhimit të të rinjve, zhvillojnë veprimtarinë e tyre në çdo kënd të vendit, duke I siguruar të rinjve në zonat rurale dhe urbane, mundësi trajnimi dhe zhvillimi karriere, punësimi, inovacioni, sipërmarrje, debati, dhe angazhimi kulturor, për tja bërë jetën më të mirë aty ku jetojnë.

Gjatë vitit të parë të zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Rinisë, kemi mbështetur ndërhyrjet infrastrukturore në 9 bashki të vendit, Kamëz, Elbasan, Durrës, Gjirokastër, Lushnje, Dibër, Lezhë, Roskovec, Tiranë, duke ndërtuar hapsira të sigurta për të rinjtë, biblioteka, qendra rinore, qendra teknologjie dhe argëtuese.

Së bashku me bashkitë perkatëse, i kemi hapur dyert e qyteteve mbi 150 mijë të rinjve, duke ndërtuar hapsirat që vetë të rinjtë kanë ideuar si vendet e tyre të përkatësisë, si aktorë të rëndësishëm të komunitetit.

Me këto nisma të drejtuara nga qeveria në bashkëpunim me bashkitë, organizatat rinore dhe vetë të rinjtë, kemi nxitur të rinjtë e të rejat të marrin pjesë aktivisht në shoqëri dhe të ndihen të fuqizuar për tu shprehur me zërin e tyre e duke zbatuar qëllimin e parë të Strategjisë Kombëtare të Rinisë.

Edukimi i karrierës që në klasën e 9-të ka qënë një nga kërkesat e para të gjimnazistëve, të cilën, në bashkëpunim me Ministrinë përgjegjëse për arsimin e kemi realizuar gjatë vitit të parë të zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Rinisë. Përmes këtij informimi të hershëm të të rinjve mbi mundësitë per vijimin e karrierës së tyre, i kemi krijuar kushtet që ata vetë të zgjedhin edukimin që ndërthur prirjet dhe preferencat e tyre me perspektivën për një profesion të vlefshëm në të ardhmen.

Kemi filluar pilotimin e Garancisë Rinore, në bashkëpunim me Ministrinë përgjegjëse për punësimin, një program që i garanton një ofertë arsimimi të vazhdueshëm, praktike pune, apo punësimi të gjithë atyre të rinjve, deri në moshën 29 vjeç, që nuk janë në punësim, arsim apo trajnime, pra për të gjithë ata të rinj që ende nuk e kanë gjetur rrugën e jetës, në tre qytete: Tiranë, Shkodër dhe Vlorë. Ky program do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe në bashkëveprim të ngushtë të shumë aktorëve të tjerë, do të ofrojë drejtpërdrejtë më shumë mundësi të rinjve të vendit tonë që kanë më shumë nevojë, që ta gjejnë veten pikërisht këtu, në Shqipëri.

Me anë të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, kemi arritur tek të rinjtë e sapodiplomuar nga mosha 21 deri në 26 vjeç, duke i ofruar mundësitë e para të punës nëpërmjet praktikave në institucione publike, shoqëri tregtare dhe organizata jo-fitimprurëse. I kemi hapur dyert të rinjve duke ofruar mbi 1700 pozicione praktikash për të filluar eksperiencën e tyre të parë të punës.

Lajmi i mirë për të gjithë praktikantët e ardhshëm, që vjen në fakt falë lobimit të bashkëmoshatarëve që kanë përfituar nga ky program në të shkuarën, si dhe mbështetjes së pafundme të Kryeministrit për të rinjtë, është që duke filluar nga vitit 2024, ky program do të vijë edhe me një komponent mbështetje financiare për këdo që zhvillon praktikën në institucionet publike.

Prandaj gjatë vitit të parë të zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Rinisë, dizenjuam dhe zbatuam në bashkëpunim me AKPA, Programin e Kodimit, me anë të së cilit në vetëm një vit kemi mbështetur mbi 1200 të rinj të cilët janë financuar për të marrë pjesë në kurse afatshkurtra dhe intensive që i kanë kthyer ata në programuesit e të ardhmes. Kryeministrit i premtuam që do të kishim 1000 përfitues në këtë program përgjatë vitit të parë, po në fakt gjatë 2023-shit arritëm të mbështetnim 1285 individë duke i aftësuar në programim, përmes angazhimit të akademive më të mira në botë. Ky program do të vijojë ritmin e shpejtë të krijimit të profesionisteve në fushën e teknologjisë së informacionit duke i siguruar tregut të gjithë kapitalin njerëzor të kërkuar, jo vetëm nga kompanitë ndërkombëtare që veprojnë tashmë në Shqipëri si Lufthansa, Siemens, apo Ritech, por edhe per kompani e huaja simotra që do të tërhiqen nga kapitali njerëzor që po përgatitet në këtë fushë, kombinuar me dijet në gjuhët e huaja që shqipëtarët i kanë pasur dhe vijonë ti kenë një aset që çudit botën mbarë.

Pjesa më e madhe e përfituesve nga ky program punojnë për kompani të huaja sipas orës në amerikë dhe australi, por e bëjnë këtë pikërisht nga Shqipëria, dhe sigurisht paguhen me rroga të standartit amerikan ndonëse jetojnë në Shqipëri, duke kombinuar më të mirat e dy botëve, një mrekulli që ta ofron teknologjia dhe inovacioni.

Kësisoj kemi mbështetur dhe nxitur inovacionin rinor dhe kemi rritur aftësitë dhe profesionalizimin e të rinjve dhe të rejave përmes edukimit cilësor në TIK dhe fusha të tjera të zhvillimit, duke rritur dhe përmirësuar kështu, mundësitë për të hyrë në tregun e punës, në zbatim të qëllimit të dytë të Strategjisë Kombëtare të Rinisë.

Me mbështetjen e ministrisë përgjegjëse për sportin dhe motivimit të pakursyer të komitetit olimpik, federatave dhe qindra trajnerëve, 10,000 të rinj janë angazhuar në programin e ekipeve sportive në shkolla duke filluar nga arsimi 9-vjecar dhe vijuar me gjimnazet, duke krijuar frymën e sportit dhe kujdesit për shëndetin fizik përgjatë gjithë jetës që nga moshat më të vogla e deri tek më të rriturit. Një program shqiptar, model dhe për vendet e tjera, ku mbështetja për trajnimet, uniformat dhe pajisjet është krejtësisht e financuar nga qeveria shqiptare, duke mundësuar që fëmijët të kenë akses të barabartë në sport pavarsisht gjëndjes ekonomike të familjeve të tyre. Të rinjtë e ekipeve sportive, uniformat dhe atletet i kanë po aq të bukura dhe cilësore sa ekipet profesioniste, duke lejuar që të rinjtë të përqëndrohen tek sporti, loja, e duke krijuar frymën e ekipit dhe kompeticionit të shëndetshëm që në hapat e para të jetës.

Së bashku me ministrinë përgjegjëse per arsimin dhe mbështetjen e pakursyer të qindra mësuesve, 10,000 fëmijë të tjerë janë përfshirë në kurset e arteve dhe zejeve në të gjithë Shqipërinë, në fshat dhe në qytet, duke mësuar dhe zhvilluar talentet e tyre pas shkolle në teatër, kor, instrumente muzikorë, zeje, teknologji e programim, pikturë etj.
Sërish ky një program i mbështetur plotësisht nga qeveria shqiptare, i prakrahasueshëm as me shumë nga vendet e Bashkimit Evropian, ku prindërit duhet të paguajnë për këto mundësi. Me motivimin e mësuesve në çdo qytet të vendit po japim mundësi për të krijuar artistët e ardhshëm, si dhe kemi lehtësuar prindërit duke i shtuar 1 apo 2 orë kohë cilësore pas orarit mësimor për të zhvilluar talentet, e duke mënjanuar telefonat apo tik-tokun.

Me lidershipin e ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë, ambientet shkollore janë bërë më të sigurta, me anë të paketës së sigurisë në shkolla, dhe hetimit të rreptë të krimeve kibernetike dhe krijmeve kompjuterike për të ruajtur të rinjtë nga rreziqet e internetit dhe për të dënuar ata që shkelin ligjin duke përfituar nga pafajësia e të rinjve. Gjithashtu, në bashkërendim me AKCESK kemi ndërmarrë edhe fushata të sigurisë dhe ndërgjegjësimit. Prindërit janë më të sigurtë ndërkohë që fëmijet e tyre janë në shkollë, dhe vetë të rinjtë janë aftësuar për të njohur rreziqet dhe për të raportuar në linjat e këshillimit për të rinjtë.

Të rinjtë shpesh largohen nga Shqipëria sepse duan që fëmijët e tyre të ardhshëm të kenë një jetë më të mirë. Janë ndërmarrë një sërë programesh për fëmijët që kanë impakt të drejtpërdrejtë në nxitjen e lindjeve dhe krijimin e një brezi fëmijësh më të shëndetshëm. Duke filluar që nga mbështetja e prindërve me bonusin e bebeve, por edhe zgjerimin e kujdesit shëndetësor që në shkollë, me anë të programit kombëtar të shikimit dhe programin e laboratorëve dentarë në shkolla, që kanë marrë një qasje parandaluese ndaj problematikave shëndetësore që në moshat më të hershme, nën drejtimin e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.

Një tjetër angazhim i rëndësishëm është edhe ofrimi i shërbimeve për shëndetin mendor të adoleshentët dhe të rinjtë, që kanë qënë dhe vijojnë të jenë fokusi kryesor i planit të veprimit për zhvillimin e shërbimeve për shëndetin mendor, duke ofruar shërbime të integruara sociale dhe shëndetësore qoftë në shkolla me mbështetjen e psikologëve që tashmë janë në çdo shkollë, por edhe me shërbimet që ofrohen në qëndrat e kujdesit parësor.

Me anë të këtyre masave kemi rritur mirëqënien fizike, sociale, e mendore të të rinjve, pa lënë mënjanë fokusin tek siguria, mbrotja dhe gjithëpërfshirja e të rinjve duke zbatuar qëllimin e tretë të Strategjisë Kombëtare të Rinisë.

Shqipëria që të rinjtë shqiptar kërkojnë dhe meritojnë nuk ndërtohet vetëm, nuk ndërtohet nga një individ, nuk ndërtohet vetëm nga qeveria, nuk ndërtohet vetëm nga bashkia, nuk ndërtohet vetëm nga shoqëria civile, po ndërtohet duke bashkuar fuqitë dhe duke punuar që vendi ynë të jetë çdo ditë më mirë se dje.

Në këtë vit të parë të zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Rinisë, dua të falenderoj për punën e pakursyer të gjithë kolegët ministra, jo vetëm ata që do të flasin sot për programet dhe punët e përbashkëta në të mirë të të rinjve, por dhe të gjithë ata që me punën dhe programet e tyre, në fushën e infrastrukturës e energjisë, mbrojtjes, turizmit, bujqësisë dhe mjedisit i kanë pasur të rinjtë në qendër të vëmendjes.

Dua të falenderoj të gjithë kryetarët e bashkive, që na kanë mbështetur në çdo nismë që kemi filluar për të rritur angazhimin civil dhe social të të rinjve por edhe për ti përfshirë ata në vendimmarrje si qytetarët që do të kontribuojnë për Shqipërinë.

Dua të falenderoj gjithë partnerët për zhvillim, duke filluar nga Bashkimi Evropian, Agjencitë e Kombeve të Bashkuara, ambasadatat italiane, franceze, gjermane, amerikane, angleze e shumë tjera, fondacionin shqiptaro amerikan për zhvillim, që kanë mundësuar që buxheti i dedikuar për rininë të rritet 10-11 fish, e ndihmon për të realizuar shumë nga objektivat që kemi vendosur për Rininë 2030, në krye të përfundimit të zbatimit të Strategjisë.

Dua të marr edhe një moment të veçantë për të falenderuar të gjithë mësuesit, pedagogët, trajnerët dhe mentorët e shoqërisë civile që me dëshirën dhe pasionin e tyre kanë bërë të mundur, edhe kur nuk kanë qenë të gjitha mundësitë, ti japin jetë objektivit tonë për ti ofruar më shumë mundësi të rinjve, që me shembullin e tyre dhe shpeshherë duke dhuruar orët e tyre të lira ti sigurojnë të rinjtë tanë të kenë kushtet e nevojshme për tu ndierë të plotësuar dhe për të qënë të suksesshëm në vendin tonë.

Një falenderim shkon për gjithë ekipin e rinisë, për kabinetin e Rinisë dhe Fëmijëve dhe Agjencinë Kombëtare të Rinisë që kanë zgjedhur të më bashkohen në këtë rrugëtim, dhe që besojnë tek vizioni ynë për Rininë 2030.

Nuk mundet të lë pa i shprehur mirënjohjen Kryeministrit tonë, Edi Ramës, që ja ka besuar këtë përgjegjësi një të reje si unë, dhe nuk ka rreshtur kurrë së besuari te fuqia e rinisë për të ndërtuar dhe për ta bërë më të mirë Shqipërinë.
Faleminderit për mbështetjen e pakursyer, për kritikat me vend, por edhe vizionin për Shqipërinë 2030.

Besoj fort se Shqipërinë për Rininë 2030 jemi duke e ndërtuar të gjithë bashkë, gjithesecili duke vendosur një dorë në shkallët që po ngjisin Shqipërinë dhe Shqipëtarët në rrugëtimin drejt integrimit evropian.