Publikuar më: 12/12/2024
Fjala e plotë e Ministres Bora Muzhaqi në Forumin Global të UNESCO-s kundër Diskriminimit dhe Racizmit në Spanjë
Përshëndetje dhe ju falënderoj për ftesën!
Ndërsa dëgjoja diskutimet e mëparshme, zëvëndëspresidentja e Kolumbisë tha diçka shumë interesante. Ndonjëherë flasim për diskriminimin dhe racizmin si diçka që ndodh vetëm me të tjerët, por jo me ne. Mendoj se, përpara se t’ju tregoj diçka rreth asaj që kemi bërë, dua të theksoj një pikë.
Të qenit vajzë, grua dhe politikane e re na bën shpesh të përballemi me diskriminimin. Edhe rruga ime në këtë udhëtim politik ka qenë e mbushur me sfida të tilla. Të jesh në atë pozitë dhe ta përjetosh vetë diskriminimin të bën të kuptosh se shumë gjëra që nuk i konsiderojmë si të tilla, në fakt janë diskriminim.
Të rinjtë e perceptojnë diskriminimin shumë më tepër se brezat e mëparshëm. Brezi i ri ka filluar ta kuptojë dhe ta trajtojë konceptin e racizmit dhe diskriminimit në një nivel më të thellë, prandaj kam zgjedhur të ndalem në tre pika kryesore sot.
Pika e parë ka të bëjë me përfshirjen gjinore dhe metodologjinë që kemi përdorur për të përfshirë si vajzat ashtu edhe djemtë në procesin e hartimit të politikave. Për këtë qëllim, kemi krijuar Këshilla Vendorë Rinorë. Në çdo bashki të Shqipërisë kemi krijuar Këshilla Vendorë Rinorë që përfshijnë jo vetëm të rinjtë, por gjithashtu sigurojnë kuota specifike për përfaqësimin e minoriteteve, grave, burrave dhe grupeve të tjera të vulnerabël. Këto këshilla nuk janë thjesht për të dhënë mendime, por shërbejnë si strukturë këshilluese për politikat lokale që ndërmarrim.
Sot, Shqipëria ka 61 Këshilla Vendorë Rinorë një për çdo bashki. Ky ishte hapi i parë që ndërmorëm për të përfshirë të rinjtë në proceset vendimmarrëse, duke mos i lënë vetëm si spektatorë, sepse shpesh të rinjtë i kemi në sallë, por nuk i dëgjojmë, nuk u japim hapësirën e nevojshme për të folur. Nëse veprojmë kështu, nuk po i përfshijmë vërtet ata. Ndryshimi që kemi sjellë është përfshirja e tyre reale në procesin vendimmarrës.
I njëjti koncept zbatohet edhe në nivel kombëtar. Përveç Këshillave Vendorë Rinorë, kemi krijuar një Këshill Kombëtar Rinor, që vepron si organ këshillimor për mua si ministre e Rinisë dhe për Qeverinë. Çdo politikë dhe angazhim për rininë konsultohet me të rinjtë, të cilët kanë mundësinë të japin mendimet e tyre. Natyrisht, nuk biem gjithmonë dakord, por pjesa e rëndësishme është që vendimet e tyre bëhen pjesë e diskutimit dhe analizohen seriozisht për të parë se si mund të përfshihen.
Kjo qasje ka transformuar mënyrën sesi hartojmë politikat, duke siguruar që të rinjtë të dëgjohen si në nivel lokal, ashtu edhe në nivel kombëtar. Por sigurisht, nuk është gjithmonë e lehtë. Ende përballemi me sfida, veçanërisht për përfaqësimin e minoriteteve etnike dhe komuniteteve vulnerabël.
Kur vjen puna te përfaqësimi i grave dhe vajzave, kemi bërë përparime të mëdha. Buxhetet tona janë të ndara në mënyrë të barabartë, 50% për femrat dhe 50% për meshkujt, duke siguruar përfaqësim të drejtë. Por për minoritetet dhe komunitetet e vulnerabël, ka ende punë për të bërë.
Pika e dytë që dua të prek, është roli i shoqërisë civile. Besoj fuqimisht se shoqëria civile është një komponent thelbësor për ta bërë politikëbërjen tonë të qëndrueshme dhe efektive. Në Këshillat Vendorë Rinorë dhe Kombëtarë, por edhe në proceset e ndarjes së granteve, shoqëria civile është pjesë e strukturave vendimmarrëse. Duke kombinuar këto dy elementë, të rinjtë dhe shoqërinë civile, kemi siguruar që politikat tona jo vetëm të jenë të shkruara mirë, por edhe të zbatohen siç duhet.
Kjo është një pjesë e vogël e asaj që kemi bërë në Shqipëri, por forume si ky na japin mundësinë të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të zgjerojmë përvojat tona, për të bërë më shumë për vendet tona dhe të rinjtë që përfaqësojmë.
Shumë faleminderit!