Publikuar më: 14/07/2022
Fjala e Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët në Parlament për projekt-ligjin e Parqeve Teknologjike
Mendoni një park,
Një park që nuk është si gjithë të tjerët,
Në këtë park zhvillohet industria e teknologjisë së lartë dhe inovacionit, aplikohen dijet më moderne me qëllim zhvillimin e produkteve dhe të shërbimeve të cilat mungojnë në tregun shqiptar, apo në përgatitjen e atyre produkteve dhe shërbimeve që ngjasojnë në pamje, por që ndryshojnë në thelb atë që ofrojnë. Këto produkte dhe shërbime janë ato që përdorin teknologji të avancuar, si prodhimi i software-ve apo përpunimin e të dhënave.
Mendoni një vend ku trajnohen dhe ngrihen kapacitetet e profesionistëve shqiptarë, ku të rinjtë shqiptarë vendosen në epiqendrën e sferës së zhvillimit të teknologjisë. Në këtë vend akademia përfaqësuar nga një institucion i arsimit të lartë qoftë vendas apo i huaj bëhet bashkë me bizneset për të krijuar një ekosistem zhvillimi, kërkimi dhe inovacioni. Një institucion akademik i përgatitur për sfidat teknologjike dhe i mbështetur si lehtësues i startup-eve, për të arritur nivelin e universiteteve prestigjioze angleze apo amerikane. Mendoni studentët shqiptarë që temën e tyre të diplomës apo praktikën mësimore e kryejnë pranë bizneseve teknologjike prestigjioze, e që në fund të punës së tyre, nuk nxjerrin thjeshtë një temë diplome, por prodhojnë prototipe produktesh novatore dhe zgjidhin nevojat dhe problematikat reale të tregut.
E kuptoj që për disa prej jush është pak e vështirë, të mendohen apo imagjinohen hapësira të tilla në Shqipëri, po ashtu jam e ndërgjegjshme, që për shumë prej jush, nxirja e çdo pune apo nisme të Qeverisë është aq e pashmangshme sa nxirja nga dielli në verë, nuk ka hapësire për mëdyshje apo lëkundje të asnjë lloji.
E megjithatë, unë dua t’ju rikujtoj dhe një herë që transformimi digjital i Shqipërisë është e vërtetë dhe po përparon. Dhe ky projekt-ligj është në sinergji me të gjithë nismat e tjera që ka ndërmarrë Qeveria Shqiptare, dhe që kanë në epiqendrën e tyre të rinjtë dhe fëmijët shqiptarë.
Këtu përfshihet përgatitja e fëmijëve dhe studentëve për karrierën e tyre të ardhshme jo vetëm nëpërmjet mundësive që ofron ky projektligj, po edhe nëpërmjet nismave dhe programeve të tjera, sic është edhe programi i aftësive të kodimit për fëmijë e arsimit fillor. Programi fillon në shtator të këtij viti, në 100 shkolla fillore në cdo qark të vendit, ku do përfitojnë rreth 7,500 fëmijë, përmes mësimit me një kurrikul bashkëkohore, dhe rreth 65,000 fëmijë do të kenë akses në teknologjitë më moderne. Gjithashtu, po punojmë për përgatitjen e një programi që do ti japë mundësi të të rinjve shqiptarë që do duan të ndërrojnë karrierë apo të profilizohen në në fushën e programimit, që të mbështeten nga shteti në këtë proces.
Po ashtu, këtë javë u mbyll me sukses thirrja e parë nga projektligji i startup-eve, ku shumë sipërmarrës të rinj përfituan nga mbështetja e drejtpërdrejtë për të zhvilluar më tej idetë e tyre novatore. E mbi të gjitha shumë universiteteve ju dha mbështetja për tu kthyer në lehtësues startup-esh, për të krijuar hapsira të reja që mbështesin inovacionin dhe zhvillimin teknologjik të të rinjve, e për pasojë edhe të vendit. Kjo nisëm shërben si urë që të përgatisë universitet për rolin e tyre të ri, të cilin ky projektligj e pëfrorcon më tej.
Procesi i transformimit digjital në Shqipëri dëshmohet qartësisht në revolucionin digjital të shërbimeve dhe administratës publike në Shqipëri, i cili që prej vitit 2014 ka ndryshuar perceptimin e qytetarëve në lidhje me komunikimin elektronik me institucionet shtetërore. Sot ofrohen mbi 1,200 shërbime publike online, ose rreht 95% të të gjitha shërbimeve publike, krahasuar me 14 të tilla, ose 1% të shërbimeve online që ishin në vitin 2014. Kjo është përkthyer në një ulje drastike të kostove të marrjes së shërbimeve, lehtësim të procedurave buraktratike, çlirim të kohës së qyetarëve, por edhe përmirësim i transparencës dhe cilësisë së ofrimit të shërbimeve nga shteti. Ky progres në këtë fushë është vlerësuar nga të gjithë partnerët ndërkombëtar, dhe raportet e organizatave më prestigjioze në botë, nga OKB-ja, OECD-ja, Deparamenti Amerikan i Shtetit, dhe Komisioni Evropian i japin Shqipërisë notën maksimale në qeverisjen digjitale.
Të nderuar deputetë, inovacioni nuk bëhët as me ligj, as me VKM e as me deklarata politike. Por sigurisht, ligjet dhe aktet nënligjore janë të domosdoshme për ti treguar shoqërise dhe investitorëve privatë vendas dhe të huaj që deklaratet tona nuk janë thjesht politike por të shoqëruara me garancitë ligjore të nevojshme për të ndërtuar bashkarisht këtë ekosistem funksional teknologjie dhe zhvillimi shkencor.
Ky projektligj ka pikërisht këtë synim, të ofrojë hapsirën e nevojshme ligjore për të krijuar dhe zhvilluar parqe teknologjike dhe shkencore që fuqizojnë kërkimin shkencor dhe teknologjik në vëndin tonë.
Për të qënë konkurues në rajon, ky projektligj ofron një sërë lehtësirash fiskale duke filluar që nga norma e tatim fitimit 0 për 15 vite, tek përjashtimi nga taksat për punonjësit për një periudhë 10 vjecare, përjashtimin nga taksat e ndikimit në infrastrukturë dhe të pasurisë së paluajtshme, por edhe përjashtimi nga TVSH-ja për të gjithë mallrat dhe pajisjet që do të shërbejnë për përgatitjen e produkteve inovative.
Të nderuar deputetë, tashmë që aktorët publik kanë ecur me hapa të shpejtë drejt zhvillimit digjital, ka ardhur momenti që të promovohen dhe të zhvillohen me forcë iniciativat private të teknologjisë dhe inovacionit shkencor.
Inovacioni është nxitësi kryesor strategjik për zhvillimin ekonomik. Dhe duke pasur popullsinë më të re në Evropë, kalimi nga një ekonomi tradicionale në një ekonomi digjitale kthehet në një domosdoshmëri dhe një nevojë për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë për fëmijët dhe të rinjtë tanë.
Mos harroni, edhe Shazam apo Facebook, sot dy gjigandë të inovacionit, dje u krijuan nga studentëtë panjohur universiteti. Të rinjtë kanë fuqinë të ndryshojnë botën, pavarësisht se nga konvikti i Harvardit, Berkeley-t apo I Politeknikut të Tiranës.
Prandaj, ju ftoj dhe nje herë, mendoni një park teknologjik dhe shkencor ku fëmijët dhe të rinjtë do të mund të dizenjojnë produkte inovatore që mundet një ditë të përmirësojnë jo vetëm Shqipërinë por edhe Botën.
Jepjani këtë mundësi duke votuar këtë projektligj.