Publikuar më: 02/11/2022

Fjala e Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët në inaugurimin e shkollës “Klodian Tanushi”

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Të investosh tek fëmijët do të thotë t’i japësh një mundësi më të mirë të ardhmes së këtij vendi. Kjo shkollë e re, me infrastrukturë moderne do t’u ofrojë 600 fëmijëve një hapësirë bashkëkohore për të zhvilluar mësimin. Do t’u përmirësojë mundësitë që shkolla të jetë një ambient ku shkojnë çdo ditë me kënaqësi e mësojnë për të qenë nxënës më të mirë e qytetarë të denjë. Kjo është një nga shumë shkollat e inaguruara këtë vit, të gjitha shkolla me standarde të pakrahasueshme, jo vetëm për nxënësit, por edhe për mësuesit.

Në një rrugëtim në Shqipëri, dua t’iu tregoj rastin e një shkolle në Bulqizë, të rikonstruktuar në vitin 2019, nga një shkollë pa standarde, u kthye në një hapësirë moderne me kushte bashkëkohore për fëmijët e mësuesit. Në vizitën e zhvilluar 3 vite më pas në këtë shkollë, vura re që shkolla ishte dhe më e bukur se fill pas rikonstruktimit, duke treguar se kur bëhen investime të mira nxënësit, mësuesit, drejtuesit dhe komuniteti përkujdesen më shumë për ambientet e tyre, duke u siguruar që ti mirëmbajnë dhe ti vendosin në dispozicion të komunitetit. Në shkollën e Bulqizës, hapësirat sportive përdoren nga gjithë qyteti, nga fëmijët dhe nga të rinjtë.

Ju tregova shembullin e shkollës së Bulqizës, sepse jam e bindur që edhe në këtë shkollë të sapo ndërtuar, nxënësit, mësuesit, drejtuesit dhe gjithë komuniteti do të kujdesen që ta mirëmbajnë dhe ta vendosin në funksion të komunitetit. Shkolla nuk është vetëm një ambient për të përçuar dije, është shumë më tepër se aq. Me programet e zhvilluara ndër vite siç janë: “Shkolla si Qendër Komunitare” dhe “Bëjmë Detyrat e Shtëpisë”, shkolla është kthyer në një vlerë thelbësore për komunitetin.

Tashmë me programin e ri të Ekipeve Sportive, që ka filluar zbatimin në të gjithë Shqipërinë, shkollat janë kthyer në hapësira që përdoren edhe pas orarit të mësimit. Ekipet sportive duke filluar nga muaji kaluar kanë filluar stërvitjet, që zhvillohen tre herë në javë pas orarit të mësimit, për të pasur të rinj aktivë dhe të shëndetshëm, që e shpenzojnë në mënyrë produktive kohën pas mësimit. Jam e bindur që edhe kjo shkollë do të ketë ekipet e veta sportive në volejboll dhe basketboll, për vajza dhe djem, e do të konkurrojë denjësisht në kampionatin e bashkive, qarkut e pse jo edhe në kampionatin kombëtar.

Gjithashtu me programin më të ri, që do të filloj në janar, fëmijët e 200 shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve do mund të angazhohen edhe në kurse të mëtejshme pas orarit të mësimit, në fusha si arte, zeje, teknologji, mjedis dhe kopshte të gjelbra pranë shkollave. Kjo është një mundësi që fëmijët pavarësisht mundësive ekonomike do të kenë mundësi të zbulojnë dhe zhvillojnë talentet e tyre, e për prindërit që të jenë pak më të qetë derisa të mbarojnë punën, duke ditu rqë fëmijët e tyre janë në një ambient të sigurt. Ky program pas vitit të parë të pilotimit do të shtrihet më tej në nivel kombëtar për t’iu mundësuar të gjithë fëmijëve të angazhohen.

Kjo shkollë mban emrin e një heroi të paqes, Klodian Tanushi, një njeri që shërbeu dhe ra heroikisht në misionet paqeruajtëse. Unë nuk kam pasur fatin ta njoh Klodianin, po si shumë të tjerë kam dëgjuar e lexuar për vlerat e tij të larta, të një ushtaraku që përfaqësoi vlerat shqiptare jashtë vendit, duke dhënë jetën e tij në krye të detyrës në Letoni si komandant i Forcave Paqeruajtëse Shqiptare. Kjo shkollë do të jetë një lapidar përkujtimor i majorit Dibran, që do të krenojë jo vetëm familjen e Klodianit, Serxhon, Klesion dhe Darlën e vogël, por çdo shqiptar. Kjo shkollë është lapidari i trimërisë dhe sakrificës shqiptare, shembulli i një luftëtari të përjetshëm të paqes.

Të dashur familjarë të Klodianit, nënë Lume, babë Basriu, vëllai i tij Ergys, shoqja e jetës Semiha, dhe Serxho, Klesio dhe Darla, ju keni humbur njeriun tuaj më të shtrenjtë, po duke i vendosur kësaj shkolle emrin Klodian Tanushi, emri, kujtimi dhe heroizmi i Klodianit do të jetojë gjithmonë mes nesh!