Publikuar më: 12/10/2022

Fjala e Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët për programin LEAD

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

89 alumni të programit Lead dhe 10 të rinj që i shtohen sot programit!

Javën e shkuar nisëm një rrugëtim të përbashkët me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) nëpër Shqipëri, për të njohur të rinjtë me programet e Fondacionit dhe të Qeverisë. Në të gjithë takimet kuptuam se duheshin rreth 45 minuta për të listuar të gjithë punët e mira që kemi kryer bashkërisht në këto vite, duke filluar nga projektet turistike dhe kulturore si pazari i Tiranës, pazari i Korçës, Muzeu i Vlorës, Amfiteatri i Durrësit dhe Muzeu i Marubit. E më tej me projektet në fushën e edukimit si programi Read për Diasporën, Shkolla e Drejtorëve, Junior Achievement dhe Qendra e Provimeve. Sigurisht edhe te programet e mia të preferuara, TUMO Tirana, Akademia e Kodimit Protik, dhe patjetër edhe përfshirja e kodimit që në klasën e parë.

Një listë e gjatë projektesh dhe investimesh konkrete të drejtpërdrejta në shoqërinë tonë, dhe ndikimi në jetën e qytetarëve patjetër ka qenë dhe vijon të jetë çdo ditë i lartë.

Ndonëse në kabinetin e Rinisë këtë vit do të na bashkohet për herë të parë një Lead, njohja me programin dhe me arritjet e tij për mua, por edhe kolegët e mi është e përditshme. Ne jemi me fat që kemi alumni të Lead që pas përfundimit të programit i janë bashkuar administratës dhe vijojnë të japin kontributin e tyre të përditshëm.

Programi Lead shërben për t’u mësuar të rinjve një aftësi thelbësore në arritjen e objektivave në jetë, motivimin, angazhimin dhe vullnetin për t’i cuar deri në fund impenjimet e tyre.

Sigurisht është e lehtë ta shpenzosh ditën duke u ankuar për mungesën e mundësive, ndonëse mundësi ka, dhe kjo është e lehtë për t’u bërë jo vetëm në Shqipëri, po kudo. Patjetër që ka rrugë të gabuara ku fitimet arrihen më kollaj sesa me punë dhe me përpjekje, por çfarë ne të gjithë duhet të synojmë për të ngulitur tek çdo i ri, është që vetëm duke aplikuar dhe duke i besuar procesit mund të jeni fitues. Një dokument i harruar, apo i plotësuar gabimisht, mund të jetë diferenca midis teje dhe një fituesi. Siç thotë ajo shprehja ai që nuk provon nuk mund të fitojë, dhe shpesh nga dështimet mësohet më shumë se nga fitoret. Kjo nuk vlen vetëm për këtë program, kjo vlen për gjithçka në jetë.

Nga 500 të rinj që kanë shprehur interes për programin, vetëm 98 prej tyre kanë dorëzuar një aplikim të plotë. Pra, 400 janë dorëzuar rrugës, me siguri me idenë e gabuar se në këto programe nuk fiton më i miri, po fiton miku apo njohja. E vërteta e bukur është se këta të rinj që përzgjidhen çdo vit tregojnë jo vetëm që janë më të mirët, më të përgatiturit, dhe ai talent që ngahera ne në administratë e kemi të vështirë ta tërheqim, por mbi të gjitha janë ata të rinj që nuk e tregojnë punën e tyre me fjalë lart e poshtë po puna e tyre flet çdo ditë vetë me fakte konkrete.

Lead-sat vijnë të parët dhe ikin të fundit nga zyra, sepse gjithmonë kërkojnë të bëjnë më shumë, të japin çdo ditë më shumë nga vetja për përmirësimin e sektorit që kanë zgjedhur. Ja u them këtë sepse në kabinetin tim tashmë kam një lead alumni, një nga brezat e parë të lead, që tregon më së miri impenjimin, saktësinë, njohurinë dhe eksperiencën, duke përmirësuar punën e gjithë ekipit, gjithmonë i palodhur dhe me dëshirën që projektet dhe punët për fëmijët dhe rininë të ecin përpara.

Jam shumë e gëzuar që 10 të rinj do t’i bashkohen kabineteve tona qeveritare me klasën 2022-2023, dhe jam veçanërisht e lumtur që këta të rinj janë të qartë për idetë e tyre, për vizionin dhe qëllimet.

I riu që do të na bashkohet në ekipin e rinisë, kishte aplikuar vetëm tek ne, dhe pas pyetjes sime pse kishte aplikuar vetëm këtë vit në lead, u përgjigj se më parë institucionet e tjera nuk i ngjallnin interes për fushën e tij të ekspertizës. Një djalë i ri me eksperiencë shumë vjeçare në fushën e organizatave rinore, një i ri i talentuar që mezi pret të fillojë të ndjekë nga afër politikëbërjen në fushën e rinisë, e sigurisht që dhe ne mezi presim që të vendosim në funksion të rinisë, një LEAD fellow që do ti shtojë vlerë punës, do të na ofrojë një qasje të re të fituar nga puna në terren.

Kur punën e qeverisë e sheh nga larg duket pak më e lehtë nga çfarë është në të vertetë, postimet në media sociale për firmosjen e një kontrate apo fillimin e një projekti, fshehin pas vetes muaj të tërë pune zyre, shkresash, hartime projektesh, dhe shumë andralla në bashkëpunimin ndërinstitucional, apo edhe me palë të treta, por nën prizmin e bukur të medias sociale ne shohim vetëm rezultatin, që shpeshherë nuk reflekton netët pa gjumë të shpenzuara duke u kujdesur që cdo gjë realizojmë të jetë në dobi të qytetarëve.

Të dashur Lead Alumni urime dhe përgëzime që ja dolët mbanë, puna juaj është reflektuar në çdo projekt të shkruar dhe zbatuar, dhe jam e bindur që keni lënë gjurmën tuaj pozitive në çdo institucion.

Jam e bindur që ky brez i ri i LEAD fellows do të vazhdojë të mbajë lart punën e kryer ndër vite, dhe do të lartësojë edhe më tej imazhin e rinisë shqiptare, si të rinj punëtorë, të motivuar e mbi të gjitha që përveshin mëngët dhe punojnë për të përmirësuar të ardhmen e tyre, duke dhënë cdo ditë kontributin për një Shqipëri më të mirë.

Urime dhe suksese!