Publikuar më: 24/12/2024
Fjala e ministres Bora Muzhaqi në ceremoninë e ndarjes së Medaljeve të Arta për të rinjtë ekselentë
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, znj. Bora Muzhaqi:
Të dashur të rinj,
E nderuar Ministre,
I nderuar Kryeministër,
Është gjithmonë një moment i veçantë të jem pjesë e kësaj ceremonie. Çdo vit, ndërsa qëndroj këtu për të përshëndetur ju, të rinjtë që keni arritur majat e ekselencës, ndiej një emocion të freskët dhe një frymëzim të ri.
Dhe ndonjëherë mendoj që më ka ndritur ylli që kam fatin të përfaqëssoj zërin e të rinjve shqiptarë në qeveri. Përtej humorit, mendoj se që të të ndrisë ylli në shkollë, në karrierë dhe në jetë duhet shumë punë, përpjekje, vullnet dhe sakrificë.
Besoj që të gjithë ju brezi i ri shihni shumë filma në netflix, këtë që do them, përpiquni ta imagjinoni me një nga filmat e fundit që keni parë. E keni parasysh atë montazhin
që bëhet diku aty tek mesi i filmit, ku tregohen të gjitha arritjet, përpjekjet, sfidat, kur ai personazhi kryesor lexon shumë, stërvitet, përiqet, lexon shpesh herë, para se të arrijë tek ajo pika kulminante e filmit, ku cdo gjë rregullohet.
Pikërisht, kjo medalja që do merrni sot, është fiks si ai momenti final i filmit. Dhe montazhi i filmit që është ajo pjesa që nuk shfaqet, janë pikërisht të gjitha sakrificat tuaja, netët pa gjumë, lodhja që e ka mposhtur vullneti, pasqyra e të gjithë betejave të brëndshme që keni fituar kur askush tjetër nuk po shihte. Tek kjo medalje ne lexojmë jo vetëm suksesin tuaj, por forcën e një brezi që nuk dorëzohet kurrë.
Përgëzime për të gjithë ju, për të gjithë ata mësues që ju kanë mbështetur, por edhe për prindërit që ju kanë dhënë shëmbullin e mirë se me punë arrihet çdo gjë. Por mbi të gjitha përgëzimi është për ju, që në këtë botë që shpeshherë na tregon ato shëmbujt negativë, ju keni zgjedhur të ndiqni shëmbujt e punës, vullnetit dhe pasionit.
Por sic ndodh rëndom këto ditë, filmat kanë filluar bëhen triologji, kështu që rrugëtimi dhe montazhet e punës dhe lodhjes nuk kanë të mbaruar. Për tu bërë gati për sfidën e radhës, ju sugjeroj që këtë medalje ta vendosni në një vend të dukshëm. Që t’ju kujtojë se vendosmëria, durimi, këmbëngulja, dhe sakrifica gjithmonë shpërblehen.
E për tu përgatitur për këtë sfidë, më lejoni t’ju jap nja dy këshilla si një shoqe pak më e madhe se ju!
Mos kini frikë të ëndërroni dhe të vendosni objektiva të mëdha për veten! Një shprehje që mua më tërheq veçanërisht shumë thotë: “Kur provon, më e keqja që mund të ndodhë është të dështosh; por kur nuk provon, ke dështuar që në fillim.”
Nëse nuk futesh në provim është e sigurtë që do ngelësh, nëse nuk meson është e sigurtë që do marrësh një nota të këqija, nëse nuk aplikon për punë, është e sigurtë që nuk do gjesh punë, nëse nuk flet dhe nuk njeh njerëz të rinj, është e sigurt që nuk do të gjesh as shok apo shoqe jete.
Thomas Edisoni kur e pyetën si u ndje që dështoi 1000 herë për të krijuar një llampë funksionale tha “ Unë nuk kam dështuar 1000 herë, unë kam gjetur 1000 mënyra që nuk funksionojnë.” Kështu që nëse e mbani mend rastin e Edisonit, ai krijoi llampën elektrike dhe më në fund revolucionarizoi komplet botën, falë faktit që nuk kishte frikë nga dështimet e tij.
E teska vija këtu sot, pata dhe unë një montazh në kokë, montazhin kur isha mosha juaj, montazhin kur zgjodha të shkoj vetëm në mes të Anglisë për të ndjekur ëndërrën time për të studiuar atje. Por në fakt sot njerëzit, duan shohin diplomën time, por askush nuk sheh montazhin e netëve mbi libra, vështirësitë e mëdha në një shtet të ri, as mungesën e familjes dhe njerëzve të dashur dhe as atdhedashurinë.
Po jo vetëm ai montazh kur isha mosha juaj, por një montazh i gjatë mund të bëhet edhe nga dita kur për të parën herë shoqërova Kryeministrin në ceremoninë e medaljeve të arta, sa shumë rrëzime dhe sfida ka pasur ky montazh. Por ndryshe nga ju, copëzat e rrëzimeve të mia i gjeni në youtube, pikërisht ato copëzat që nuk do të kisha shumë dëshirë ti ndaja sot me ju.
Po janë pikërisht ato copëzat e rrëzimeve të rrugëtimit të gjatë të gjithësecilit prej nesh që na e bëjnë edhe më të bukur ringritjen. E teksa dje ndaja certifikatat për 435 praktikantë që u diplomuan nga Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, kuptova që nuk kisha më nevojë të mendoja për rrëzimet por vetëm për mundësitë e reja që kemi krijuar për të rinjtë gjatë këtyre viteve.
Programet e shumta në dispozicion të më të vegjëlve e më të mëdhënjve, në arte, zeje, sport, kodim, teknologji, trajnime nga më të ndryshmet, që nuk do kishin qenë të mundura pa ato rrëzimet dhe sfidat e fituara me sukses. Pra, mos kini frikë të ëndërroni dhe asnjëherë mos u dorëzoni përpos të gjitha rrëzimeve gjatë rrugës suaj.
Këshilla ime e dytë është të mos kini frikë të jeni ndryshe!
Shpeshherë në shkollë, në shtëpi dhe në jetë na mësojnë të jemi konformistë, të bëhemi pjesë e atij kuadratit tipik, kuadrati tipik i nxënësit të mirë, kuadrati i vajzës që nuk duhet të kundërshtojë, kuadrati i djalit që nuk duhet të qajë. Sigurisht jeta është shumë më e thjeshtë nëse futesh tek kuadrati tipik që të takon, apo tek kuadrati që pritet nga ty ty. Por ama, kur je pjesë e kuadratit, e zakonshmja bëhet pjesë e së përditshmes dhe ti nuk spikat.
E ndryshmja ngahera të tremb dhe të frigon sepse kërkon të largohesh nga status quo-ja, por unë besoj se brezit tuaj i takon të jetë i guximshëm, që të dali nga e zakonshmja dhe ju jeni të jashtëzakonshëm. Nëse ja lejoni vetes guximin për të thënë një mendim ndryshe, për të shprehur atë pjesë të personalitetit tuaj që mendoni që nuk përputhet me atë që pritet nga ju.
Më besoni që të rinjtë që më mbeten në mëndje në çdo takim që bëj me ju, janë pikërisht ata që nuk thonë atë që presim, janë pikërisht ata që i japin zë sfidave të vërteta të gjeneratës suaj, jo ata që përsërisin atë që dëgjojnë në media, që dëgjojnë nga prindërit apo që dëgjojnë edhe në shoqërinë e tyre.
Kini kurajo të jeni vetvetja, sepse sic thotë Ralph Waldo Emerson “Nuk ka gjë më të fuqishme sesa të jesh vetvetja në një botë që përpiqet gjatë gjithë kohës të të bëjë si gjithë të tjerët”.
E teksa e them këtë, rikthej kohën tek një angazhim i imi i parë, kur isha zëvëndësministre. I kërkova Kryeministrit asokohe që të zhvillonim takime me të rinjtë, me gjimnazistë, me studentë, me profesionistë, jo për të shkuar e për të mbajtur fjalime se çfarë kishim bërë për ta, po për ti dëgjuar se çfarë mund të bëjmë më shumë e më mirë. Kësisoj ndryshuam një traditë të takimeve zyrtare, ku drejtues u bënë të rinjtë dhe dëgjues u bë qeveria. Rezultati ishte një Strategji Kombëtare për të Rinjtë që në cdo qelizë të vetën reflekton se cfarë ne do të bëjmë për të rinjtë bashkë me ta.
Dhe tani ndërsa përgatitemi për Kuvendin Rinor që do zhvillohet vitin tjetër, fjala do jetë sërish e të rinjve, do jenë ata që do drejtojnë, ata që do vendosin objektivat për të ardhmen e tyre në Shqipëri. Që të ndërtosh një Shqipëri ku të rinjtë duan të qëndrojnë, duhet që ta ndërtosh atë bashkë me të rinjtë.
E së fundi, meqë gjatë fjalës ju përmbajta modeleve të huaja, do doja të jepja dhe një shëmbull shqiptar, që me siguri do mendoni që e kam zgjedhur ngaqë është drejtuesi im, po në fakt ai është drejtuesi im pikërisht sepse mendoj këtë gjë.
Ne Shqiptarët, kemi zgjedhur një Kryeministër, që dikur kur ishte i ri si ju, ëndërroi një Shqipëri më të bukur për të rinjtë, e tashmë falë një punë shumë vjeçare jemi më afër se kurrë ëndrrës sonë për një Shqipëri Evropiane.
Kemi zgjedhur një Kryeministër që guxoi të ishte ndryshe, një artist që tashmë shtetin tonë të vogël e ul në tavolinat e shteteve më të mëdha të botës, dhe ku fjala e shqiptarëve dëgjohet anë e mbanë gjithë vendit. Kemi zgjedhur një Kryeministër, që diti të hapi dyert për të rinjtë prej vërteti, për një Shqipëri që i përket të rinjve.
Prandaj, të dashur të rinj, ëndërroni dhe vendosni objektiva të mëdha për veten tuaj dhe mos kini frikë të jeni ndryshe!
Shqipëria ka nevojë për ëndrrimtarë që nuk kanë frikë ti bëjnë ëndërrat e tyre realitet dhe Shqipëria ka nevojë për të rinj që guxojnë të jenë vetvetja.
Ju uroj përgëzime për të gjitha arritjet tuaja!