Publikuar më: 26/12/2024
Fjala e ministers Bora Muzhaqi në daljen para mediave pas Vendimeve të Qeverisë
Fjala e plotë e ministres së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, znj. Bora Muzhaqi:
Përshëndetje,
Sot kaluam një vendim shumë të rëndësishëm, që është vijimi i mbështetjes për programin e ekipeve sportive. Tashmë është në edicionin e tij të tretë dhe ndër vite kemi zhvilluar këto aktivitete me fëmijët e klasave të 9-ta, me gjimnazet por edhe me ata që janë pak më të vegjël pra në fillore.
Pjesa e mbështetjes sigurisht do të vijojë me të njëjtin ritëm që ka qenë edhe në këto tre vite. Besojmë që gjatë këtij viti do të kemi mundësinë që të aktivizojmë mbi 12 mijë fëmijë dhe të rinj që do të jenë pjesë e këtij programi dhe janë në fakt 826 ekipe sportive që janë të shpërndara në gjithë vendin, në dy disiplina sportive. Në volejboll dhe basketball. Mbështetja për fëmijët do të jetë qoftë me pjesën materiale por edhe me trajnime nga profesionistë të specializuar të kësaj fushe.
Ky është sigurisht një program që shtrihet në të gjithë Shqipërinë dhe ka pasur një vëmendje shumë të mirë edhe nga fëmijët, por edhe prindërit janë ndjerë të vlerësuar që fëmijët e tyre janë angazhuar në aktivitete sportive duke i mënjanuar ata nga të gjitha ato kohë, mënyrën e shpenzimit të kohës jo productive pas orarit të mësimit. Shpresojmë fort që ky program do të vijojë edhe do të zhvillohet edhe në tej në vitet e ardhshme duke shtuar edhe disiplinat sportive por edhe duke vijuar mbështetjen, duke e shtrirë anembanë në gjithë Shqipërinë.
Faleminderit!