Publikuar më: 24/12/2024
Ceremonia e ndarjes së certifikatave për të rinjtë e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, ministrja Bora Muzhaqi: Ka ardhur momenti ta ridimensionojmë Programin e Praktikave të Punës për ti dhënë një frymë ndryshe
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, organizoi ceremoninë e përvitshme me rastin e përfundimit të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, ku ndau certifikatat për të rinjtë që përfunduan me sukses këtë program. Në këtë aktivitet, mori pjesë edhe ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni. Mbi 400 të rinj zhvilluan praktikën e punës në institucione të ndryshme të Administratës Publike, një përvojë e cila do t’u njihet si eksperiencë pune dhe do t’u ofrojë mundësinë të fitojnë një kontratë punësimi në institucionet ku kanë zhvilluan praktikat, bazuar në performancës së tyre.
Në fjalën e saj, Ministrja Muzhaqi theksoi se ky program është një nga iniciativat e saj më të preferuara dhe një mundësi për të rinjtë që të zhvillojnë aftësitë e nevojshme për t’u integruar në tregun e punës. Ajo po ashtu e përshkroi ndryshimin e këtij programi, duke e ridimensionuar për t’i dhënë një frymë më moderne dhe për t’u përshtatur me kërkesat e Bashkimit Evropian, duke hequr praktikat e papaguara dhe duke ofruar mundësi të reja për rininë.
“Ka ardhur momenti të ridimensionojmë Programin e Praktikave të Punës për t’i dhënë një frymë ndryshe. Ky është një moment i rëndësishëm për të rinjtë, pasi kur politikat ndryshojnë dhe të rinjtë kërkojnë ndryshimin, ne jemi të gatshëm t’i bëjmë këto ndryshime realitet dhe t’i kthejmë ato në detyrë”, tha ministrja Muzhaqi.
Në vijim të fjalës së saj, ajo vlerësoi angazhimin e të rinjve dhe reflektimet që ata kishin ndarë përmes anketave, duke e konsideruar këtë si një mundësi për përmirësimin e mëtejshëm të programit. Ajo gjithashtu theksoi nevojën për një sistem më të fortë monitorimi të mentorëve dhe për trajnime që do t’i ndihmojnë të rinjtë të zhvillojnë njohuri të thelluara mbi administratën dhe komunikimin profesional.
Ministrja Muzhaqi njoftoi gjithashtu për një ndryshim ligjor të rëndësishëm, duke përfshirë një program të ri për praktikat, si pagesa e praktikës dhe mundësitë për trajnime më të detajuara. Ky është një hap i rëndësishëm për të garantuar që të rinjtë të kenë mundësi të barabarta dhe të drejta në zhvillimin e karrierave të tyre.
Në përmbyllje të fjalës së saj, ministrja u bëri thirrje të rinjve që të vazhdojnë të angazhohen në politikëbërjen dhe të shfrytëzojnë mundësitë që ky program ofron, duke pasur parasysh se ndonëse nuk është gjithmonë e lehtë të marrësh një kontratë pune, përvoja dhe njohuritë që ata fituan gjatë praktikës janë një mundësi e çmuar për të ardhmen e tyre profesionale.