Publikuar më: 04/02/2024
Bora Muzhaqi: Rikonstruktohet Qendra Rinore multifunksionale Gjirokastër, pjesë e saj edhe Kinemaja ‘Ismail Kadare’Rikonstruktohet Qendra Rinore multifunksionale Gjirokastër, pjesë e saj edhe Kinemaja ‘Ismail Kadare’
Gjirokastra do te ketë një qendër rinore multifunksionale me të gjitha kushtet për të ofruar shërbime dhe mjedise për organizimin dhe angazhimin e rinisë. Pjesë e kësaj qendre është edhe kinemaja që mban emrin e kolosit të letrave shqipe Ismail Kadare dhe që i shërben mbi 10 mijë të rinjve të këtij qyteti, por jo vetëm, duke sjellë artin pranë qytetarëve.
Bora Muzhaqi, Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Mirela Kumbaro Ministrja e Turizmit njëherazi dhe deputete e zonës dhe Kryetari i Bashkisë Flamur Golemi vizituan ambientet e qendrës dhe diskutuan me fëmijët për punët dhe projektet e tjera të rëndësishme në shërbim të tyre.
Ministrja Bora Muzhaqi i inkurajoi të rinjtë që “të mos heqin dorë nga ëndrrat dhe dëshirat rinore dhe të ngrenë zërin e të kërkojnë gjithçka u nevojitet për realizimin e tyre”. Është shumë e rëndësishme, vijoi Muzhaqi që “fëmijët dhe të rinjtë të ndjehen mirë, të kenë mjedise të përshtatshme për të eksploruar dhe për të shpërfaqur talentin rinor.”
Ministrja Kumbaro u ndal tek rëndësia e qendrës multifunksionale për organizimin e eventeve dedikuar të rinjve në Gjirokastër dhe sidomos te vlera historike që ka kinemaja e kësaj qendre, së cilës Ismail Kadare i ka kushtuar posaçërisht një poezi.
Për Golemin kjo qendër multifunksionale është një shërbim shumë i vlefshëm për komunitetin, por gjithashtu rrit ofertën turistike për turistët në zonën muzeale të qytetit duke u ofruar dhe një hapësirë tjetër për të vizituar dhe ndërvepruar me të rinjtë.
Rikonstruksioni i qendrës rinore multifunksionale Gjirokastër është një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të rinisë lokale dhe u mbështet përmes Agjencisë Kombëtare të Rinisë si pjesë e thirrjes për projekt-propozime rinore.