Publikuar më: 13/04/2022
Muzhaqi për reformën në arsimit profesional: Do të përfshijmë të rinjtë që nuk janë në arsim, punësim apo trajnim
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, të mërkurën e 13 prillit, ka deklaruar se po punohet për përfshirjen e të rinjve që nuk janë në marrëdhënie pune e që nuk marrin arsim përkatës apo trajnim profesional.
Nga podiumi i konferencës për Reformat në Sistemin e Arsimit dhe Formimit Profesional, Muzhaqi ka zbuluar se bëhet fjalë për programin e Bashkimit Evropian, “Garancia Rinore”, nëpërmjet të cilës po punohet për regjistrimin e këtyre të rinjve në sistemin publik, duke adresuar kështu secilin rast.
Ajo ka sqaruar se një nga objektivat e këtij programi është ngritja e një mekanizmi që identifikon të rinjtë të cilët nuk janë në marrëdhënie pune, nuk janë të përfshirë në një arsim përkatës apo trajnim profesional.
Ndërsa një tjetër objektiv është edhe ofrimi i një platforme gjithëpërfshirëse për të rinjtë, , nëpërmjet të cilës, sipas Muzhaqit, “të rinjtë mund të identifikojnë mundësi për arsim të mëtejshëm, trajnime, praktika pune, por edhe mundësi punësimi”.
Ndër të tjera, ministrja e Shtetit ka ndarë me të rinjtë dhe pjesëmarrësit nga institucionet publike e private edhe lajmin për përfshirjen e këshillimit të karrierës në arsimin 9-vjeçar.
“Nëpërmjet Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029, këshillimi i karrierës do të përfshihet që në klasën e nëntë, për t’iu dhënë mundësinë nxënësve që të përzgjedhin shkollat e arsimit profesional që në fazën e parë”, u shpreh Muzhaqi.
Ndërsa sqaroi se, ky ka qenë një shqetësim i ngritur nga vetë nxënësit e arsimit profesional dhe ato të gjimnazeve, ministrja e Shtetit tha se nëpërmjet këtyre reformave synohet ndërlidhja e ngushtë e arsimit profesional me ofruesit e punëve dhe lehtësimi i tranzicionit nga shkolla në punë.
“Qëllimi jonë është të informojmë nxënësit për mundësitë që ato kanë, në mënyrë që të gjejnë drejtimin e tyre të karrierës sa më herët, në mënyrë që të fitojnë aftësi profesionale, si dhe të zhvillohen nga ana profesionale”, u shpreh ajo.
“Reforma e arsimit dhe formimit profesional është thelbësore”, sipas ministres së Shtetit, “në ndërtimin e një shoqërie me vlera që i mundëson gjeneratës së re të plotësojnë nevojat e të sotmes dhe të përballen me sfidat e të nesërmes”.
Në përmbyllje, Muzhaqi e vlerësoi konferencën si “hap të rëndësishëm” për ndërlidhjen e të gjithë partnerëve, që nga nxënësit dhe studentët te përfaqësuesit e sektorit publik dhe privat.