Publikuar më: 11/04/2022

Muzhaqi: Vullneti i qytetarëve për mbështetjen sociale të nënave me fëmijë të mitur do të kthehet në politika konkrete

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

“Vlerësimi dhe përkrahja që qytetarët i kane dhënë pyetjes për mbështetjen e veçantë sociale për nënat me tre ose më shumë fëmijë të mitur, do të materializohet në politika dhe hapa konkrete”.

Kështu ka deklaruar ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, në seancën plenare të 11 prillit, në lidhje me rezultatin e Këshillit Kombëtar, ku 81% e qytetarëve kanë mbështetur ofrimin e mbrojtjes së veçantë sociale nga shteti për nënat me fëmijë të mitur.

Kjo sipas ministres, për të mbështetur dhe fuqizuar akoma më tepër rolin e gruas familjare, me prioritet kujdesin ndaj mirërritjes dhe mirë-edukimit të fëmijëve në familje.

“Vullneti i qytetarëve është detyrë për ne”, tha Muzhaqi nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, “të cilin do ta kthejmë në politika dhe ligje konkrete”. Me qëllim që nënat shqiptare me tre ose më shumë fëmijë të mitur të kenë më shumë mundësi financiare dhe sociale, sipas saj, për të qenë të pavarura dhe për t’iu përkushtuar më tepër edukimit të fëmijëve tyre.

Gjithashtu, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, solli në vëmendje dhe reagimin e qytetarëve në lidhje me ashpërsimin e dënimit për autorët përsëritës në kryerjen e krimeve të rënda kundër personit dhe dyfishimin e dënimit për autorët që kryejnë dhunë në familje dhe krime ndaj fëmijëve.

Në formularin e Këshillimit Kombëtar, 81% e qytetarëve kanë kërkuar dyfishimin e dënimit dhe heqjen e gjykimit të shkurtuar për autorët që kryejnë dhunë në familje dhe krime ndaj fëmijëve. Një shifër që ministrja e Shtetit e cilësoi “të lartë” dhe “tregues kryesor” të qëndrimit të qytetarëve ndaj këtij fenomeni.

“Kushdo që kryen krime ndaj një krijese të pafajshme siç janë fëmijët duhet të marrë ndëshkime më të rënda”, tha ajo.

Ndër të tjera, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët u shpreh se është “inkurajues” fakti që, qytetarët kanë kërkuar nëpërmjet këshillimit kombëtar, “një Shqipëri ku gratë dhe fëmijët mbrohen nga shteti”, duke dyfishuar dënimet për autorët që kryejnë dhunë në familje dhe krime ndaj fëmijëve.

Nismën e Këshillimit Kombëtar, Muzhaqi e ka klasifikuar si një risi në politikëbërjen shqiptare, duke përfshirë kështu qytetarët dhe grupet e interesit në hartimin e politikave dhe strategjive kombëtare.

I të njëjtës linjë ka qenë dhe hartimi i Strategjisë Kombëtare të Rinisë, në të cilën ministrja e Shtetit tha se, për herë të parë janë përfshirë qindra të rinj nga qytete, shkolla dhe universitete të ndryshme të vendit, duke u angazhuar për të dhënë mendimet e tyre në krijimin e këtij dokumenti strategjik.