Publikuar më: 12/12/2024
Forumi Global kundër Diskriminimit dhe Racizmit, ministrja Bora Muzhaqi: Shqipëria model i përfshirjes së të rinjve në vendimmarrje dhe barazisë gjinore
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, gjatë fjalës së saj në Forumin Global të UNESCO-s kundër Diskriminimit dhe Racizmit, në Spanjë, ndau përvojat dhe hapat e Shqipërisë drejt promovimit të barazisë dhe përfshirjes sociale.
Ajo theksoi rëndësinë e përfshirjes aktive të të rinjve, grave dhe vajzave në proceset vendimmarrëse, duke përmendur krijimin e 61 Këshillave Vendorë Rinorë dhe Këshillit Kombëtar Rinor, si mekanizma për të siguruar përfaqësimin e të rinjve dhe grupeve vulnerabël. “Të rinjtë nuk janë vetëm spektatorë në procesin vendimmarrës, por aktorë aktivë që kontribuojnë drejtpërdrejt në politikat që i prekin ata”, – theksoi Muzhaqi.
Përveç përfshirjes rinore, ministrja Bora Muzhaqi nënvizoi progresin në përfaqësimin gjinor, ku buxheti ndahet në mënyrë të barabartë për të dyja gjinitë. Ajo gjithashtu theksoi rolin kyç të shoqërisë civile si partner strategjik në krijimin e politikave të qëndrueshme dhe efektive.
“Forume si ky na japin mundësinë të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të zgjerojmë përvojat tona, për të bërë më shumë për vendet tona dhe për të rinjtë që përfaqësojmë”, – përfundoi ministrja, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për përmirësimin e politikave ndaj diskriminimit dhe racizmit.