Publikuar më: 26/11/2023
Titulli: Muzhaqi takim me të rinjtë që janë kthyer në Shqipëri: Frymëzim për bashkëmoshatarët që të kontribuojnë në atdhe
Bora Muzhaqi në kuadër të Samitit të tretë të Diasporës organizoi panelin “Rini pa kufij”, me të ftuar të rinj nga diaspora dhe të rinj të kthyer në Shqipëri pas shumë vitesh jashtë trojeve shqiptare.
Nën moderimin e Alketa Doçi, ish-volejbolliste profesionite e skuadrës “Dinamo” dhe Kombëtares Shqiptare, tashmë koordinatore e projektit “Ekipet Sportive në Shkolla”, të ftuarit, Arbër Gashi, Erblina Shehu, Klevis Mino, Rea Tresa, Uarda Begaj, Theodhora Dralo dhe Bora Muzhaqi, ndanë me të pranishmit eksperiencën e tyre disa vjeçare të studimeve jashtë dhe punësimit.
Përsa i përket panelistëve të kthyer në Shqipëri, për të vijuar jetën dhe karrierën në vendin e tyre, ndanë edhe arsyet e kthimit ku kryeson malli për atdheun dhe potenciali që Shqipëria ka për t’u zhvilluar duke u krijuar kështu një ekosistem të qëndrueshëm për zhvillimin e ndërmarrjeve të tyre.
Pas një prezantimi të secilit prej panelistëve,
“Arbër Gashi, ka kryer studimet në Zvicër dhe ka themeluar Shoqatën e Studentëve Shqiptarë në Zvicër.
Erblina Shehu, është kthyer në Shqipëri dhe ka themeluar Kungul dhe Somag Albania dhe.
Klevis Mino, Drejtor i Zhvillimit pranë Accenture AG.
Lirim Krasniqi, ka kryer studimet në Austri dhe pasi u kthye në Shqipëri është angazhuar në organizatën GERMIN dhe ka themeluar OriginAl.
Rea Tresa, Studente ekselente në Londër.
Uarda Begaj, ka studiuar në Berlin dhe është kthyer në Shqipëri ku ka themeluar Hana Vintage dhe Hana Corner Cafe.
Theodhora Dhoska, ka studiuar gjithashtu jashtë, në Qipro dhe tani ka ngritur kompaninë Flow në Shqipëri.”, Muzhaqi shtoi,
“Kam zgjedhur që në panel të kem të rinj që janë larguar e kthyer në Shqipëri për të frymëzuar të rinjtë shqiptarë për të kontribuar në vendin e tyre.” tha Bora Muzhaqi teksa vijoi me eksperiencën e saj 6 vjeçare për studime në Londër dhe arsyen për të cilën u kthye në Shqipëri.
“Kam studiuar 6 vite në Londër, por kënaqësia më e madhe është kur u ktheva në Shqipëri dhe përshëndetjet ‘Mirëmëngjesi’ në rrugë ma mbushnin zemrën plot dhe vendosa të qëndroj. Aplikova në disa kompani private për t’u punësuar. Tashmë kam mbushur 10 vite në Shqipëri, gjatë të cilave kam punuar 8 vite në sektorin privat derisa aplikova në platformën e asaj kohe, ‘Deputeti që duam’, prej të cilës u përzgjodha dhe vijova udhëtimin tim në politikë. Jam e lumtur dhe krenare për hapat që kam hedhur në jetë dhe ndihem e plotësuar me çdo program, nismë dhe ndryshim pozitiv që kam ndërmarrë me impakt të drejtëpërdrejtë tek fëmijët dhe të rinjtë.” tha Muzhaqi.