Publikuar më: 20/09/2023

FJALA E PLOTË E MINISTRES MUZHAQI NË PARLAMENT MBI PROJEKLIGJIN “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 113/2020, “PËR SHTETËSINË””

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

E nderuar Drejtuese e Seancës,

Të nderuar deputete e deputetë,

Lajtmotivi i diskutimeve, i komenteve dhe reflektimeve në çdo shtëpi, qytet dhe vend kuvendimi fizik apo online mes shqiptarëve ka qenë ndeshja e datës 10 shtator dhe fitorja e kombëtares së futbollit me Poloninë. Loja e bukur, rezultati i arritur dhe gëzimi i fitores ka çuar peshë zemrat dhe mendjen e shqiptarëve anembanë dhe ka bërë që i madh e i vogël të ëndërrojnë për mundësinë e pjesëmarrjes në finalet e kampionatit evropian në vitin e ardhshëm në Gjermani.

Ky sukses, i cili i atribuohet patjetër punës dhe mundit të djemve të kombëtares dhe stafit teknik, mbart nga pas, megjithatë, dhe një histori që nuk shquhet dhe thuhet aq sa duhet.

Jasir Asani shënuesi i golit të parë në ndeshje, është një djalë i lindur në Shkup nga prindër shqiptar, që ka luajtur gjithë ekipet zinxhir të kombëtares së Maqedonisë së Veriut dhe që pati mundësinë të luante me ekipin e tij të zemrës vetëm pasi mundi të merrte shtetësinë shqiptare, pas moshës 18 vjeç.

Mirlind Daku, i cili shënoi golin e dytë në ndeshjen me Poloninë, ështe një djalë i lindur në Gjilan. Edhe Mirlindi, sikundër Jasiri, fitoi të drejtën të luftojë me ngjyrat kuq e zi vetëm pas moshës 18 vjeç, pasi pati mundësinë të merrte shtetësinë shqiptare.

Të nderuar deputetë, sot është paraqitur para për miratim projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.113/2020, “Për shtetësinë”, që do ti jap mundësinë të gjithë atyre talenteve të spikatura në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, dhe sportit të fitojnë shtetësinë shqiptare edhe pa mbushur moshën 18 vjeç.

Këto ndryshime i përgjigjen mbi të gjitha një interesi kombëtar, atë të ngritjes së imazhit të Shqipërisë përmes arritjes së ekselencës dhe sukseseve në aktivitetet europiane dhe botërore. Po ti referohemi fushës së sportit, si fusha që pritet të ndikohet më tepër nga ky ligj, tërheqja e talenteve të reja në ekipet kombëtare do të rris konkurencën, nivelin e lojës dhe rezultatet sportive duke ndikuar rrjedhimisht edhe në zhvillimin e sportit në Shqipëri.

Fëmijët dhe të rinjtë kanë nevojë për histori suksesi që motivojnë, përveçse kushte për të zhvilluar talentin e tyre. Kur Lara Kolturi mori shtetësinë shqiptare dhe filloi të përfaqësonte Shqipërinë në kampionatet botërorë të skive, jo vetëm shtroi rrugën për në kompeticionet sportive që vendi ynë nuk i kishte traditë t’i shkelte, por ndikoi në të njëjtën kohë, në rritjen e përqafimit të sportit të skive nga më shumë të rinj dhe të reja në vendit tonë. Kjo është e magjia e sportit.

Prandaj dhe përpjekjet tona për nxitjen e lëvizjes sportive mes të rinjve në vend do të vijojnë me programe të dedikuara siç është përshembull programi i Ekipeve Sportive në Shkolla i cili gjatë 1 viti zbatim ka angazhuar rreth 10000 fëmijë dhe të rinj 235 shkolla të vendit, në disiplinat e volejbollit dhe basketbollit me mbështetjen financiare dhe mbulimin e shtetit. E ndërkohë, këtë vit, janë regjistruar 8328 nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve, dhe gjithashtu, fillon pilotimi i programit “Ekipet sportive në shkolla” për grupmoshën 8-10 vjeç ku janë regjistruar 955 nxënës.

Të nderuar deputete dhe deputetë, projektligji që u është paraqitur sot për miratim ka qenë objekt i një shqyrtimi rigoroz në Komisionet e Kuvendit, ku është vlerësuar si nga pikëpamja e efekteve të pritshme të tij, por dhe nga përputhja me konventat për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e fëmijës, atë për shtetësinë dhe reduktimin e pashtetësisë, si dhe praktikën e shteteve të tjera. Puna juaj ka qenë e përligjur, pasi çështja e shtetësisë nuk është çështje partish, por përbën një nga shtyllat mbi të cilat ngrihet një vend. Prandaj, uroj që dhe ju koleg pas gjithë këtyre diskutimeve të keni sheshuar pikëpyetjet tuaja dhe të jepni konsensusin që kërkon Kushtetuta dhe interesi kombëtar. Në çdo rast unë dua të përgëzoj dhe mbështes përpjekjet tuaja që kanë synuar vendosjen e interesit më të lartë të fëmijës në qendër të procesit ligjor të fitimit të shtetësisë shqiptare.

Tani për ta mbyllur, dua t’ju kërkoj dhe nje herë të mendoni natën e magjishme të 10 shtatorit, por këtë herë ta mendoni pa pjesëmarrjen në fushë të dy heronjve kuqezi Dakut dhe Asanit, të mendoni sa shumë gezime dhe sa shumë ëndrra do ishin davaritur nga jetët e shqiptarëve në mungesë të asaj nate.

Apo më mirë akoma, dua t’ju ftoj të përfitoni historinë tjetër, atë ku Daku dhe Asani, por edhe Berat Gjimshiti, Nedim Bajrami, apo Ylber Ramadani të kishin pasur mundësinë të plotësonin ëndrrën e tyre e luanin për fanellën kuqezi që në moshë të vogël, në të gjithë ekipet zinxhir të kombëtares tonë. Kushedi sa suksese sportive dhe sa shumë gëzime do t’i kishin dhuruar shqiptarëve anembanë.

Bëjeni realitet këtë ëndërr dhe jepjani këtë mundësi heronjve tanë të ardhshëm ,

Votojeni këtë projektligj.

Faleminderit!