Publikuar më: 06/10/2023

FJALA E PLOTË E MINISTRES MUZHAQI NË FORUMIN RINOR TË BALLKANIT PERËNDIMOR

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

I nderuar Z. Reiffenstuel, kolegë të nderuar dhe profesionistë të rinj që jeni mbledhur sot këtu nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor,
Si kryetare e Bordit Drejtues të RYCO dhe në cilësinë time si Ministre përgjegjëse për Rininë në Qeverinë e Shqipërisë, dësshiroj t’ju uroj mirëseardhjen në Tiranë dhe t’ju uroj të gjithëve që të përjetoni dy ditë të gëzueshme dhe produktive aktivitetesh.

Gjithashtu, do të doja të falënderoja ekipin organizator nga sekretariati i RYCO-s dhe zyrën lokale të Shqipërisë për përkushtimin dhe zotësinë e tyre në organizimin e këtij Forumi Rinor në një mjedis kaq krijues, ‘Balkan Youth Express’, i cili simbolizon më së miri shpirtin e ndezur të rinisë, atë të një treni të shpejtë që bën përpara përmes mjegullës së besimeve, ndarjeve dhe paragjykimeve të rreme, dhe që hap rrugën për një strukturë më progresive, paqësore dhe gjithëpërfshirëse për shoqëritë tona.

Forumi Rinor i Ballkanit Perëndimor, i cili është një event vjetor i organizuar nga RYCO krahas Samitit të Procesit të Berlinit, për mendimin tim ka një rëndësi të shtuar këtë vit, pasi për herë të parë Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit do zhvillohet në një nga vendet e Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri, më 16 tetor.

Ky është një tregues se BE-ja po rinovon angazhimin e saj ndaj këtij procesi, si dhe jep një mesazh të qartë për synimin e saj për të rritur nivelin e angazhimit dhe pranisë në rajon. Për këtë arsye, u bëj thirrje të gjithë 90 pjesëmarrësve, të rinjve dhe palëve të interesuara, të bashkojmë forcat dhe përpjekjet në punën tonë sot dhe nesër gjatë forumit, dhe shpresojmë të arrijmë një artikulim të qartë dhe një rezolutë të përbashkët për çështjet dhe pengesat që po ngadalësojnë rrugën e progresit për të rinjtë tanë dhe të gjejmë mënyrën për zgjidhjen e tyre.
Një rezolutë e tillë, nëse sigurohet me një zë të unifikuar, do të jetë manifesti ynë i të rinjve në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit dhe mesazhet e tij me siguri do të rezonojnë brenda dhe përtej vendit ku do të zhvillohet samiti.

Një nga thëniet e mia të preferuara nga Franklin Roosevelt thotë se: “Ne nuk mund të ndërtojmë gjithmonë të ardhmen për të rinjtë tanë, por ne mund të ndërtojmë të rinjtë tanë për të ardhmen.” dhe gjatë kësaj jave do të bëjmë pak nga të dyja.
Forumi Rinor i Ballkanit Perëndimor pritet të trajtojë çështje të rëndësishme për rininë dhe rajonin tonë, në Balkan Youth Express ju do të diskutoni shtyllat e përshkruara në Deklaratën e Berlinit dhe do të parashtroni propozime dhe zgjidhje se si ne politikëbërësit mund të bëjnë më mirë përmes frymëzimit nga zërat e të rinjve.
Balkan Youth Express, do të thellohet në çështjen e pjesëmarrjes së të rinjve në proceset politike dhe demokratike, faktorët që pengojnë këtë proces dhe faktorë të tjerë që mund t’i mbështesin ato.

Kur bëhet fjalë për çështjen e pjesëmarrjes së të rinjve në proceset politike dhe demokratike, gjithmonë duhet bërë një dallim ndërmjet angazhimit real dhe kuptimplotë kundrejt pjesëmarrjes formale. Për shembull, në rastin e Shqipërisë, një nga detyrat e para që ndoqa kur mora detyrën ishte të shtyja bashkitë të përmbushnin kërkesat e tyre ligjore dhe të krijonin këshillat vendorë rinorë si një organ këshillues për çështjet rinore në nivelin e qeverisjes vendore.
Ne kemi patur suksesi në këtë proces, me krijimin e 59 nga gjithsej 61 këshilla vendorë aktualisht, krahasuar me 8 këshilla vendorë kur filluam këtë proces. Këta janë të rinj që kandidojnë për të qenë pjesë e këshillave vendore rinorë dhe janë votuar për të qenë pjesë e këtyre këshillave dhe përfaqësojnë veten dhe bashkëmoshatarët e tyre në çështjet që kanë të bëjnë me rininë. Megjithatë, edhe pse këto forume janë ngritur zyrtarisht, anëtarët janë zgjedhur dhe praktikat e mira i janë vënë në dispozicion, prap ne kemi vënë re pak raste ku ato funksionojnë efektivisht si forume të mirëfillta diskutimi dhe vlerësimi përsa i përket çështjeve rinore në nivel lokal.
Një tjetër çështje shumë e rëndësishme dhe për fat të keq shumë përsëritëse për rajonin tonë është diskutimi për paqen dhe sigurinë, duke përfshirë çështje si pushtimi në Ukrainë, rritja e ekstremizmit të dhunshëm, dezinformimi, dhuna me bazë gjinore dhe diskursi i polarizuar.

Meqenëse ne të gjithë jetojmë në këtë pjesë të botës, ne e dimë mirë se situata është përkeqësuar pas pushtimit të Ukrainës. Ne jemi përballur me raste të ekstremizmit të dhunshëm dhe akteve të terrorit, një rritje të gjuhës së urrejtjes dhe retorikës nacionaliste, më shumë bunkerizim politik dhe më pak dialog, si dhe ndikime të jashtme që synojnë të destabilizojnë më tej rajonin.
Ne, si qytetarë të Ballkanit, jemi përballur edhe me sfidat tona, disa të reja e disa të vjetra si koha, dhe aktualisht ju të gjithë keni lexuar për to, madje disa prej jush e keni përjetuar vetë përshkallëzimin e konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe rritjen e nevojës për dialog paqësor dhe normalizimin e diskursit.
Në këtë tablo jo aq të ndritur, besoj se ka një hapësirë për t’u mbushur nga të rinjtë si dhe veprime që duhet të ndërmerren nga të rinjtë e vendeve tona për të ridrejtuar rrjedhën e politikës së brendshme dhe rajonale drejt një këndi më të arsyeshëm dhe të sigurt për të ardhmen e të gjithë kombeve tona.
Disa përpjekje për promovimin e pajtimit, besimit dhe ndërtimit të paqes në mesin e të rinjve në rajon po zbatohen përmes projekteve të RYCO-s, por besoj se pikërisht tani ka një nevojë më të madhe dhe hapësirë që lidershipi rinor të angazhohet në këto çështje, ndërsa në të kundërtën, nëse situata do të përkeqësohej disi, kështu që do të tkurej dhe hapësira për ndërhyrje e të rinjve.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, është çështja e jetesës së qëndrueshme për të rinjtë tanë, përmes një fokusi më të madh në axhendën e gjelbër dhe digjitale dhe si ne mund të kemi qasje rajonale për t’iu përgjigjur kësaj cështjeje, e cila, besoj se përmban farën për të përcaktuar mirëqenien e ardhshme për brezin e tanishëm dhe të ardhshëm të të rinjve. Diskutimi për një tranzicion të drejtë të energjisë të qëndrueshme, prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe mbështetjen financiare për iniciativat e gjelbra, është sot më i rëndësishëm se kurrë.
Shqipëria është shtëpia e lumit të fundit të egër të Europës dhe është kujdesur që ta mbrojë këtë thesar të shqiptarëve dhe të gjithë Europës dhe ta shpallë atë park kombëtar. Është thelbësore që ky brez të ruajë dhe mbrojë burimet natyrore që do të lërë si një trashëgimi dhe pasuri më të mirë për brezin e ardhshëm.

Shqipëria është me fat dhe ka punuar shumë për të siguruar një mekanizëm të prodhimit të energjisë të qëndrueshme, duke përdorur hidrocentrale dhe duke siguruar që ndikimi në ekosistemin dhe biodiversitetin e lumit të mbrohet në proces, siç do të dëgjoni më vonë nga të rinjtë tanë aktivistë për ndryshimet klimatike. Pjesa tjetër e prodhimit tonë të energjisë vjen gjithashtu nga burime të rinovueshme si era dhe dielli, duke pasur fatin t’i kemi në dispozicion të dyja, dhe duke qenë të vëmendshëm për të investuar në shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore që na ka ofruar vendi ynë. Qeveria shqiptare nisi vitin e kaluar zbatimin e një iniciativë të gjelbër për të gjithë qytetarët, ku ata u financuan pjesërisht nga qeveria për të investuar në ngrohje me panele diellore, për të siguruar një jetesë më të qëndrueshme.

Jetesa e qëndrueshme, është një çështje që e kam për zemër, pasi kam qenë në krye të procesit të afrimit dhe rritjes së informacionit të fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë për të kuptuar ndikimin që ata kanë në mjedis dhe qëndrueshmëri. Që nga janari i këtij viti, ne kemi nisur një program jashtëshkollor, që synon t’u mësojë fëmijëve dhe të rinjve rëndësinë e arteve dhe zejeve të vendit tonë, teknologjinë, si dhe rëndësinë e mjedisit dhe qëndrueshmërisë. Kursi përmban gjithashtu një komponent bujqësor dhe mjedisor, i cili përfshin të mësuarit për bujqësinë e qëndrueshme dhe ushqimin e shëndetshëm, si dhe vizita në zona të mbrojtura mjedisore në Shqipëri, për të mësuar se si të kujdesen më mirë për to dhe të sigurohen që ekonomia të rritet pa ndikuar negativisht në qëndrueshmëri.

Do të doja të përfundoja me një shënim se përse përmenda disa nga programet që po ndërmarrim në Shqipëri, për të ndarë se kjo nuk është për të ekspozuar punën e qeverisë shqiptare, por edhe për të ndarë që të gjitha këto programe të mëdha që ne kemi zbatuar vijnë edhe si rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë mes të rinjve dhe politikëbërësve.
Kur e mora për herë të parë rolin tim si ministër, isha e bindur se nëse do të krijonim një strategji për rininë, ajo duhej të udhëhiqej nga vetë të rinjtë dhe kjo është arsyeja pse në procesin e hartimit të strategjisë të rinisë, ne takuam 1200 të rinj nga të gjitha 61 bashkitë e vendit, nga shkollat e mesme, universitetet si dhe profesionistë të rinj dhe i pyetëm se çfarë ishte e rëndësishme për ta dhe cilat sfida dhe mundësi u nevojiteshin më së shumti.

Vetëm pas shumë konsultimeve me të rinjtë, ne u ulëm si politikëbërës dhe krijuam Strategjinë Kombëtare të Rinisë 2022-2029, që përmban 3 shtylla:
• Të rejat dhe të rinjtë marrin pjesë aktivisht në shoqëri dhe ndihen të fuqizuar për t’u shprehur me zërin e tyre. Politikat ndërsektoriale rinore janë të koordinuara, të bazuara në analiza, me mekanizma të mirë financuar
• Mbështetet dhe nxitet novacioni rinor dhe rritja e aftësive dhe profesionalizmit të të rejave dhe të rinjve përmes edukimit cilësor në TIK dhe fusha të tjera të zhvillimit digjital duke rritur dhe përmirësuar kështu mundësitë për të hyrë në tregun e punës
• Mirëqenia aktive, e shëndetshme, fizike, sociale dhe mendore e të rinjve. Siguria, mbrojtja dhe përfshirja e të rinjve në të gjithë diversitetin e tyre, veçanërisht për ata të rinj që janë në situatë rreziku apo mënjanimi social

Dhe si anëtare e bordit drejtues të RYCO-s, më vjen mirë që këtë vit Shqipëria kryeson këtë forum të rëndësishëm, me veten si përfaqësuese e qeverisë, së bashku me Klajdin si përfaqësues të të rinjve të vendit tonë.

Për të përfunduar, dua t’ju uroj edhe një herë të gjithëve një forum rinor produktiv dhe le ta bëjmë sa më të vlefshëm, për veten tonë dhe për të gjitha komunitetet tuaja rinore në shtëpi.
Të rinjtë mund të ndryshojnë botën, nëse e vendosin ta bëjnë.