Publikuar më: 22/06/2023

FJALA E PLOTË E MINISTRES MUZHAQI NË PANAIRIN “ARTE DHE ZEJE 2023”

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Dua ta nis këtë fjalë me një bravo shumë të madhe për fëmijët tanë të dashur që me punën, pasionin dhe duart e tyre të arta e kanë krijuar sot këtë mjedis të mrekullueshëm arti, kulture dhe krijimtarie që do ta kishin për nder dhe artistët dhe mjeshtrat tanë më të spikatur. Gjithashtu një falënderim shumë i përzemërt shkon për mësuesit e përkushtuar që me durimin dhe angazhimin e përditshëm kanë arritur t’i japin jetë krijimtarisë të fëmijëve që ne kemi kënaqësinë t’i admirojmë sot.
E di këtë, se e kam parë motivimin dhe angazhimin në çdo shkollë që kam pasur mundësinë të vizitoj, që nga shkolla
“Lef Sallata” në Vlorë, shkolla “1 Maji” në Berat, shkolla “Koli Allkanjari” në Divjakë, shkolla “Ismail Qemali” në Shkodër, shkolla “Kosova” në Tiranë, e plot të tjera, se nuk besoj se kam mundësinë ti përmënd të 200 shkollat ku ky program realizohet me sukses.
Më kujtohet rreth dy vite më parë kur filluam të diskutonim me Kryeministrin dhe Ministren e Arsimit për mënyrat se si qeveria mund t’i siguronte fëmijëve mundësitë që ata ta shpenzonin kohën e lirë, pas shkolle, në mënyrë të vlefshme dhe argëtuese dhe t’i largonim nga aktivitetet e pashëndetshme dhe jeta pasive, duke i ofruar njëkohësisht mundësinë të njihnin dhe zhvillonin talentet e tyre.
Ne i drejtuam sytë nga tradita, te zejet tradicionale të bukura të Shqipërisë, tek formimi muzikor, tek puna me tokën dhe kthimi i kulturës masive sportive, si ato veprimtari që kanë shënjuar fëmijërinë dhe rininë e hershme të brezave të mëparshëm dhe kanë prodhuar talentet të cilët vazhdojnë t’i zbardhin faqen sot e kësaj dite vendit tonë, por edhe tek zhvillimet e reja, përdorimi i teknologjisë kaq të dashur për fëmijët, por në forma të vlefshme. Dhe pasi vendosëm shkollën si bërthama ku do të ngrihej dhe organizohej programi, ne arritëm ta kthenim idenë në veprime konkrete dhe me punë të mbërrinim në nisjen e programit në janar të këtij viti.
Duhet thënë që puna ka qenë vërtet intensive dhe e ngushtë me miken, dhe kolegen, Evisin dhe gjithë ekipin e Ministrisë së Arsimit, Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, ASCAPI-n, çdo drejtor Zyre Vendore Arsimore dhe me koleget e ministrisë te bujqësisë, mjedisit, kulturës, për përgatitjen e kurseve te ndryshme, me kolegët e UNICEF Albania që na mbështetën në çdo hap, e sidomos me çdo drejtor shkolle dhe mësues, për të vënë në jetë një program bashkëkohor jashtë shkollor.

Një program ku fëmijët nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën të kenë mundësinë të ndjekin kurse në muzikë; pikturë; kor; instrumenta muzikor; zeje si qëndistaria, punë me dru dhe punë me materiale të riciklueshme; teknologji dhe programim, kujdesi për tokën e bimët, dhe sporti i vetëmbrojtjes.
Sot këto kurse ofrohen në 200 shkolla në çdo qark të Shqipërisë dhe ka mbërritur tek fëmijët si në zonat urbane dhe ato rurale të vendit, këto shkolla u pajisen me të gjithë bazën materiale të nevojshme për të siguruar cilësinë e programit kudo njësoj, janë totalisht pa pagesë për t’i mundësuar të gjithë fëmijëve pavarësisht mundësive ekonomike të familjes të ndjekin dhe zhvillojnë talentet e tyre dhe zhvillohen në mjedise të sigurta, për t’i dhënë qetësinë çdo prindi për kohën që fëmija kalon pas orarit mësimor.
Të nderuar pjesëmarrës, nëpërmjet këtij programi kaq të bukur që tashmë ka rrëmbyer zemrat e nxënësve, mësuesve dhe prindërve, janë rreth 10 mijë fëmijë e të rinj që po eksplorojnë, shfaqin krijimtarinë e tyre e mbi të gjitha po gjejnë vetveten, atë çfarë ata duan të bëjnë në të vërtetë në mbi 1000 kurse tematike që zhvillohen dy herë në javë në 200 shkolla 9 vjecare dhe te mesme.

Ky është vetëm fillimi i një programi të mrekullueshëm që po realizohet jo vetëm në saj të dëshirës tonë të mirë për ta vënë në jetë, por edhe falë mbështetjes së Kryeministrit si nxitësi më i zellshëm i këtij programi dhe financimit të Qeverisë shqiptare, me investimet që duhen në Programin Jashtë Orarit Mësimor, për ta zgjeruar në më shumë shkolla, me më shumë kurse tematike dhe duke mbështetur talentet e reja të zhvillohen edhe përtej shkollës, në mënyrë që në të ardhmen të kemi më shumë Ermonela Jaho, Nik Xhelilaj apo Vangjush Mio, që ndezin skenat dhe ushqejnë kulturën tonë.
Në përfundim falënderoj nga zemra të gjithë kolegët që kanë punuar pa masë për ta sjellë programin JOM sa më shpejt pranë fëmijëve dhe të rinjve dhe me cilësi maksimale, pa harruar ata që e gjallërojnë cdo ditë dhe janë shtysa kryesore që e mban gjallë këtë program, më shumë se 600 mësues të palodhur që sjellin në jetë kurset për një të ardhme më cilësore për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë.
Përpara se ta dorëzojmë skenën në duart e sigurta të fëmijëve dhe të rinjve, kam kënaqësinë të ftoj Kryeministrin Edi Rama, mbështetësin më të madh, të gjithë fëmijëve dhe të rinjve, të ndaj me ju disa fjalë.