Publikuar më: 24/03/2023
Programi i Kodimit/ Muzhaqi intervistë në emisionin “Në Radio”
Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, në një intervistë në emisionin “Në radio” u ndal te Programi i Kodimit, një nisëm e qeverisë shqiptare për zhvillimin dhe orientimin e kapitalit njerëzor drejt botës së teknologjisë.
“Programi i Kodimit në shkolla, i cili gjatë këtij viti shkollor është implementuar në 100 shkolla në të gjithë Shqipërinë dhe në vitin e ardhshëm shkollor do të zgjerohet edhe më shumë, është një plan afatgjatë që kemi ndërmarrë për të krijuar një gjeneratë të re të pajisur me aftësi koduese dhe njohuri bazë digjitale” shprehet ministrja Muzhaqi duke vijuar me shpjegimin si funksion ky program “Femijët kodojnë me anë të blloqeve duke mësuar kështu logjikën dhe mendimin kritik.”
E pyetur nëse programi i Kodimit për të rritur është i njëjtë me atë të fëmijëve, Muzhaqi shprehet “Nuk janë të njëjta, kodimi për të rritur pajis të rriturit me aftësi koduese në gjuhë të ndryshme programimi.”
I çelur më 23 janar, ky program ofrohet për çdo individ 16 vjeç e sipër, të cilët janë të apasionuar pas teknologjisë dhe duan të thellojnë njohuritë e tyre në fushën e programimit, apo edhe për ata që duan të ndërrojnë karrierë.
“Programi i Kodimit është një program që ofrohet në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe akademi të huaja e shqiptare. Këto kompani kanë një eksperiencë shumë të mirë për të ofruar kurse programimi afatshkurtra nga 4 deri në 12 muaj. Gjatë kësaj periudhe mund të bëhesh një programues i mirëfilltë dhe mund të fillosh një punë me një rrogë shumë të mirë në Shqipëri, e krahasuar edhe me vendet e Bashkimit Europian.” shprehet Muzhaqi, por nga ana e qeverisë ka një kusht “Pasi përfundon kursin duhet të qëndrosh në Shqipëri për një periudhë minialisht dy vjeçare”.
Muzhaqi sqaron se aplikimi bëhet në platformën e-Albania dhe nuk zgjat më shumë se 10 minuta.
“Mjafton të aplikosh për kurse të formimit profesional me mbështetje financiare. Janë rreth njëzet kurse, nga gjuhët e ndryshme të programimit, te Python, Java, etj. Pasi zgjedh kursin, shfaqet akademia për të cilën t’i mund të vendosësh për të ndjekur kursin.” Shprehet Muzhaqi duke theksuar se kurset e kodimit do të subvencionohen nga qeveria.
“Mbështetja e parë është për studentët dhe ata që janë në punë. Nga ana e qeverisë mbështetja financiare është 50% e tarifës deri në 150 mijë lekë. Pjesa tjetër e mbështetjes është për ata që janë të papunë dhe që nuk janë studentë. Për ta mbështetja financiare është 100% deri në vlerën 300 mijë lekë.”
Pas miratimit të aplikimit nga e-Albania, të rinjtë duhet të kalojnë provimin e logjikës në akademitë përkatëse sqaron Muzhaqi dhe thekson “Lajmi i mirë është se edhe nëse nuk e kalon provimin, mund të aplikosh sërish.”
“Deri të hënën e kësaj jave kemi pasur 2200 të rinj të interesuar. Është një numër i lartë për më pak se dy muaj.” tha Muzhaqi.