Publikuar më: 09/03/2023
Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët merr pjesë në Kongresin e Parë të Shëndetësisë, Adresimi i sfidave dhe nevojave të shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve.
Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi mori pjesë në panelin e Kongresit të Parë të Shëndetësisë, ku u fol për adresimin e sfidave dhe nevojave të shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve.
E ftuar për të folur rreth politikave dhe masave që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë, Muzhaqi vuri theksin te Strategjia Kombëtare e Rinisë 2022-2029, e cila mbështet mirëqenien aktive, të shëndetshme, fizike, sociale dhe mendore të të rinjve.
“Përgëzim për këtë nismë kaq të bukur për të folur rreth problematikave, sfidave dhe çështjeve shëndetësore të të rinjve”, u shpreh Muzhaqi e më pas shtoi “jam e parimit që duhet të dëgjojmë të rinjtë dhe të rrisim aftësinë vendimmarrëse të tyre, sepse për të ofruar shërbime më të mira për ta, mënyra më e mirë është duke i përfshirë në politikat dhe nismat që ndërmarrim.”
Për të vënë në dukje rëndësinë e fuqizimit të të rinjve, por njëkohësisht dhe politikat e ndërmarra për ta, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët shtoi se “Për realizimin e mirëqenies së të rinjve kemi hartuar së bashku me ta dhe po zbatojmë Strategjinë Kombëtare për Rininë 2022-2029, me mbështetës kryesor UNICEF dhe UNFPA. Krijimi dhe hartimi i kësaj shtylle erdhi nga bashkëbisedime të drejtëpërdrejta me të rinjtë nga qytete të të gjithë Shqipërisë dhe kemi artikuluar të gjitha sfidat e shëndetit që ata kanë.”
Ministrja vjen me një lajm të mirë, duke njoftuar se Strategjia Kombëtare për Rininë 2022-2029, parashikon edhe ofrimin e shërbimit të këshillimit mendor online.
“Kemi punuar për krijimin e shërbimeve miqësore për fëmijët” shprehet Muzhaqi duke vënë në dukje se këto shërbimeve janë zbatuar si në zonat urbane ashtu edhe në ato rurale.
Duke e cilësuar mirëqenien fizike njëjtë të rëndësishme me atë mendore, Muzhaqi tregoi për Programin e Ekipeve Sportive. “Për mirëqenien fizike të fëmijëve dhe të rinjve kemi hartuar Programin e Ekipeve Sportive, ku aktualisht janë përfshirë rreth 10000 fëmijë dhe të rinj, të cilët me anë të stërvitjeve krijojnë një kulturë për shëndetin e tyre fizik, por edhe atë mendor.”
Fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë pas orarit të mësimit kanë kohë të lirë, por nuk kanë shumë opsione aktivitetesh për të zhvilluar, prandaj qeveria shqiptare me anë të Programit Jashtë Orarit Mësimor, i cili u ofron fëmijëve dhe të rinjve kohë mësimore shtesë, mundësi për zgjerim horizontesh, si dhe përvoja të shumëllojshme të të nxënit pa pagesë, ka menduar edhe për shëndetin e tyre.
“Programi Jashtë Orarit Mësimor i cili ka 5 drejtime, por 2 prej tyre janë ato që lidhen në mënyrë të drejtëpërdrejtë me shëndetin e fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve, Kopshtet e Gjelbra dhe Programi i Vetëmbrojtjes. Kopshtet e Gjelbra u mësojnë se si të ushqehen shëndetshëm, të ndjekin procedurën e mbjelljes dhe rritjes së perimeve e zarzavateve, për të kuptuar si vjen ushqimi.
Dhe së fundmi, por jo më pak e rëndësishmja, Programi i Vetëmbrojtjes u vjen në ndihmë për abuzimet që ndodhin me fëmijët dhe të rinjtë, qofshin ato emocionale apo fizike. Programi i ndihmon të kuptojnë kur gjenden në një situatë rreziku, si të reagojnë ndaj saj dhe ta raportojnë atë.” është shprehur Muzhaqi duke e përmbyllur fjalën e saj me një falenderim për disa nga anëtarët e panelit për mbështetjen në realizimin e këtyre programeve.
Në përfundim të kongresit secili prej panelistëve dha nga një mesazh.
“Sado shumë të kemi punuar dhe investuar për të rinjtë dhe fëmijët asnjëherë nuk është mjaftueshëm. Të gjithë bashkë duhet të punojmë më shumë për të siguruar që fëmijët dhe të rinjtë tanë të kenë një të ardhme më të mirë.” ishte mesazhi i ministres Muzhaqi.