Publikuar më: 12/01/2023

Lancimi i Programit të Kodimit për të Rinjtë

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi lancuan sot programin e kodimit për të gjithë të rinjtë e apasionuar pas teknologjisë e që duan të thellojnë njohuritë e tyre në këtë fushë ose që kanë dëshirë të ndryshojnë karrierë. Ky program implementohet nga Ministria e Financave nëpërmjet Agjencisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësim.

Të rinjtë që do duan të bëhen pjesë e kurseve të kodimit që do të subvencionohen nga qeveria do mund të aplikojnë nga sot përmes e-Albania. Aplikimi bëhet në portalin qeveritar e-albania.al në shërbimin: “Aplikim për kursin e Formimit Profesional me mbështetje financiare”.

“Edukimi Digjital dhe Aftësitë Digjitale: Transformimi i të mësuarit dhe mësimdhënies” është një nga prioritetet e Qeverisë nëpërmjet Agjendës Digjitale.

Ministrja Muzhaqi tha se mbështetja për të rinjtë do të variojë nga 150 mijë lekë deri në 300 mijë lekë, ndërsa subvencionim do të ketë edhe për të rinjtë me aftësi të kufizuara deri në 200 mijë lekë për t’u ofruar akses të barabartë në këto mundësi.

Ministrja theksoi se një ndër qëllimet kryesore të këtij programi është që të ndërlidhë të rinjtë me tregun e punës. Për këtë arsye në event ishin të ftuar dhe shoqëri tregtare e biznese të cilat kanë mundësi të kontribuojnë në përfshirjen e të rinjve në tregun e punës.

Në këtë event prezantues të programit morën pjesë të rinj të cilët ndanë eksperiencat e tyre të suksesshme pas kursit të kodimit, shumë prej të cilëve menjëherë pas kursit kanë filluar punë në kompani prestigjoze në fushën e teknologjisë, si Lufthansa.