Publikuar më: 28/03/2023

Strategjia Kombëtare e Rinisë 2022-2029

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Strategjia Kombëtare e Rinisë 2022-2029

Në vijim të Ligjit nr. 75/2019 “Për Rininë”, i cili siguron bazën ligjore për hartimin e politikave dhe programeve strategjike për rininë, Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, në bashkëpunim me anëtarët e grupit të punës ndërministror, kanë hartuar Strategjinë Kombëtare të Rinisë 2022-2029, si dhe Planin e Veprimit të Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029.

Sikurse cituar në Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2022 – 2024 (faqe 408), se: Strategjia Kombëtare për Rininë 2022 – 2029 do të jetë dokumenti ku do të bazohen politikat për aktivizimin, përfshirjen dhe mbështetjen e të rinjve. Ky dokument do të synojë hartimin e politikave rinore kombëtare integruese, për adresimin e problemeve të ndryshme me të cilat përballen sot të rinjtë e që lidhen me sfida si, përfshirja e tyre në proceset vendimmarrëse, punësimi, edukimi, teknologjia dhe inovacioni, rritja e aktiviteteve në lidhje me artet dhe zejet, shtim të aktiviteteve sportive, vullnetarizëm etj. Strategjia Kombëtare për Rininë 2022 – 2029 do të jetë në përputhje me Strategjinë Evropiane për Rininë 2019 – 2027.”

Strategjia Kombëtare e Rinisë 2022-2029 është e para strategji e dedikuar për rininë në Shqipëri, duke i dhënë kaq fokus dhe rëndësi rinisë, edukimit, talenteve të tyre dhe kërkesave që ata kanë në fusha të ndryshme.

Në bashkëpunim me të rinjtë anë e kënd Shqipërisë, është konceptuar dhe hartuar Stategjia Kombëtare për Rininë 2022-2029, e para strategji 8 vjeçare, që përfshin të gjitha masat dhe projektet që do të ndërmerren, me qëllim krijimin e një Shqipërie më të mirë për të rinjtë. Strategjia e Rinisë 2022-2029 është krijuar në thelb nga vetë të rinjtë nëpërmjet një procesi konsultimi të organizuar në disa faza që ka zgjatur nga gushti i vitit 2021 deri më shkurt të vitit 2022, ku ata ngritën shqetësimet e tyre, duke i thënë problematikat që kanë në përditshmëri në zonat ku jetojnë. Ata shprehën idetë dhe mendimet që mund t’ju japin zgjidhje kërkesave të tyre.

Politika kombëtare e strategjisë së rinisë dhe përpjekjet programuese përqendrohen në sigurimin e barazisë së mundësive dhe të drejtave, mbështetjes dhe angazhimit për të rejat dhe të rinjtë që janë më të prekshëm, të margjinalizuar dhe më të goditur nga mungesat e shumta, të tilla si varfëria, dhuna, keqtrajtimi, paaftësia dhe përjashtimi social.  Kjo strategji synon të orientojë rininë shqiptare për veprim të mëtejshëm i cili ndikon pozitivisht në të ardhmen e tyre.

Strategjia Kombëtare e Rinisë 2022-2029 ka 3 qëllime politike:

  • Të rejat dhe të rinjtë marrin pjesë aktivisht në shoqëri dhe ndihen të fuqizuar për t’u shprehur me zërin e tyre. Politikat ndërsektoriale rinore janë të koordinuara, të bazuara në analiza, me mekanizma të mirë financuar.
  • Mbështetet dhe nxitet novacioni rinor dhe rritja e aftësive dhe profesionalizmit të të rejave dhe të rinjve përmes edukimit cilësor në TIK dhe fusha të tjera të zhvillimit digjital duke rritur dhe përmirësuar kështu mundësitë për të hyrë në tregun e punës.
  • Mirëqenia aktive, e shëndetshme, fizike, sociale dhe mendore e të rinjve. Siguria, mbrojtja dhe përfshirja e të rinjve në të gjithë diversitetin e tyre, veçanërisht për ata të rinj që janë në situatë rreziku apo mënjanimi social.

Strategjia e Rinisë synon të përmirësojë situatën e të rinjve në Shqipëri duke u ofruar mundësi të barabarta me të rinjtë europianë, duke u krijuar mundësi për arsim cilësor dhe përfshirje në tregun e punës shqiptar dhe atë ndërkombëtar.