Publikuar më: 15/07/2022

Ministrja Muzhaqi për Parqet teknologjike: Inovacioni, nxitësi kryesor strategjik për zhvillimin ekonomik

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, nga podiumi i Kuvendit të Shqipërisë, ka bërë thirrje për miratimin e projektligjit “Për krijimin dhe funksionimin e Parqeve Teknologjike dhe Shkencore”.

Në fjalën e saj, ministrja deklaroi se ky projektligj ka si synim të ofrojë hapësirën e nevojshme ligjore për të krijuar dhe zhvilluar parqe teknologjike dhe shkencore që fuqizojnë kërkimin shkencor dhe teknologjik në vendin tonë.

“Inovacioni është nxitësi kryesor strategjik për zhvillimin ekonomik”, deklaroi ajo nga foltorja e Parlamentit, duke sqaruar se me popullsinë më të re në Evropë, “kalimi nga një ekonomi tradicionale në një ekonomi digjitale është e domosdoshme për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë për fëmijët dhe të rinjtë tanë”.

Gjithashtu, Muzhaqi tha se, nëpërmjet këtij projektligji ofrohen një sërë lehtësirash fiskale, duke e bërë Shqipërinë vend konkurrues në rajon.

Ministrja përgjegjëse për rininë dhe fëmijët theksoi se ligjet dhe aktet nënligjore janë të domosdoshme për t’i treguar shoqërisë që deklaratat tona shoqërohen me garancitë ligjore të nevojshme, “për të ndërtuar bashkërisht një ekosistem funksional teknologjie dhe zhvillimi shkencor”.

“Ky projektligj është në sinergji me të gjithë nismat e tjera që ka ndërmarrë Qeveria Shqiptare”, sipas ministres së Rinisë, “dhe që kanë në epiqendrën e tyre të rinjtë dhe fëmijët shqiptarë”.

Ndër të tjera, miratimi i projektligjit “Për krijimin dhe funksionimin e Parqeve Teknologjike dhe Shkencore” do të sjellë një përgatitje më të mirë të të rinjve për karrierën e tyre, sipas ministres, si dhe do të zhvillojë industrinë e teknologjisë së lartë dhe inovacionit.