Publikuar më: 01/07/2022

Hapet Thirrja e Shtatë e Praktikave të Punës me plot risi/ Muzhaqi fton të rinjtë të aplikojnë për t’u bërë pjesë e programit

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, nëpërmjet një video mesazhi të ndarë në media sociale, ka njoftuar hapjen e aplikimeve për Thirrjen e shtatë të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, për të gjithë të rinjtë e moshës 21-26 vjeç, të cilët kanë përfunduar ciklin e parë të studimeve “Bachelor” dhe nuk kanë qenë pjesë e programit në thirrjet e mëparshme.

Përveçse një eksperiencë shumë e vlefshme për zhvillimin e aftësive profesionale, akademike dhe personale, Praktika e Punës iu vlen të rinjve pjesëmarrës edhe si përvojë e njohur pune në çdo aplikim të mëtejshëm.

Këtë vit, kjo mundësi vjen si një risi e cila do të përfshijë më shumë shoqëri tregtare dhe organizata jofitimprurëse, si pjesë e ofertave për praktikën e punës, duke iu ofruar mundësinë të rinjve të diplomuar, për t’u njohur me tregun e punës dhe për të fituar eksperiencën fillestare.

Procesi i aplikimit në platformën online praktika.riniafemijet.gov.al do të qëndrojë i hapur nga data 1 korrik deri më 31 korrik 2022, ndërsa praktikat e punës do të zhvillohen nga data 12 shtator deri më 12 dhjetor 2022.