Publikuar më: 12/05/2022
Ministrja e Rinisë: Me këshillimin e karrierës që në klasë të 9 ndihmojmë të rinjtë në zgjedhjen e profesionit që në faza të para
Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Botra Muzhaqi, të martën e 10 majit, ka marrë pjesë në forumin me temë “Këshillimi i karrierës si shërbim komunitar”, organizuar në bashkëpunim me projektin RisiAlbania, projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
Në fjalën e rastit, ministrja tha se këshillimi i karrierës ka qenë një nga problematikat që kanë evidentuar të rinjtë në konsultimin e zhvilluar në kuadër të hartimit të dokumentit strategjik kombëtar për rininë.
”Për të plotësuar nevojat e tyre për punësim”, tha ministrja, “do të përfshijmë këshillimin për karrierë që në klasë të 9, i cili mundëson lidhjen e punëkërkuesit me tregun e punës, sipas aftësive, nevojave dhe interesave që ata kanë”.
Në këtë forum, të ftuar ishin edhe përfaqësues nga Bashkia e Tiranës, nënkryetarja e saj, Anisa Ruseti, drejtorja e Përgjithshme e Shërbimeve Sociale, Anisa Subashi dhe përfaqësuesja nga Zyra e Këshillimit të Karrierës në Zvicër, Rita Beltrami.
“Ky mekanizëm që kemi ndërmarrë ka si qëllim për të informuar nxënësit rreth mundësive që ato kanë, për të gjetur sa më herët drejtimin e tyre të karrierës, në mënyrë që të fitojnë aftësi profesionale dhe të arrijnë majat e zhvillimit profesional”, u shpreh Muzhaqi.
Këshillimi i karrierës kontribuon në zgjedhjet më të mira për edukimin dhe punësimin e të rinjve në Shqipëri, duke i lehtësuar zgjedhjen e karrierës së tyre.