Publikuar më: 24/01/2024

940 të rinj pjesë e projektit “Re-Debate”, Muzhaqi: Nxisim tek të rinjtë mendimin kritik, artin e të debatuarit me etikë dhe angazhimin në shoqëri

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi mori pjesë në trajnimin e parë të zhvilluar për 30 të rinj nga 3 gjimnaze të Tiranës, në kuadër të projektit “Re-debate”, i cili zbatohet nga organizata Liburnetik me mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe financohet nëpërmjet thirrjes së tretë për projekt-propozime të Agjencisë Kombëtare të Rinisë.

Në fjalën e saj përshëndetëse, ministrja Bora Muzhaqi shprehu mbështetjen e saj për këtë projekt që nxit debatin konstruktiv tek të rinjtë.

“Re-debate është një ndër projektet rinore më të konsoliduara në vend, të cilin sivjet kemi kënaqësinë ta mbështesim së bashku me Agjencinë Kombëtare të Rinisë. Jam e lumtur që ky projekt nxit debatin si instrument për modelin e zhvillimit social të të rinjve anë e mbanë vendit, duke u mësuar artin e të debatuarit me etikë dhe argumente cilësore të bazuara në fakte konkrete.”

E pranishme gjatë seancës së parë të trajnimit ku të rinjtë mësuan rreth ndërtimit të saktë të një argumenti bindës bazuar në fakte reale, si dhe mësuan rreth rregullave parësore mbi të cilat bazohet debati, ministrja Bora Muzhaqi u shpreh se ndihet krenare që të rinjtë shqiptarë vlerësojnë të menduarit kritik dhe janë gjithmonë të gatshëm për të fituar dije të reja të cilat zhvillojnë aftësitë e tyre komunikuese dhe nxisin ndërveprimin me bashkëmoshatarët.

Gjatë trajnimit, me pedagoge Aida Goga nga Fakulteti i Shkencave Sociale, të rinjtë mësuan më shumë mbi teknikat e argumentimit efektiv dhe strategjitë e komunikimit, si dhe u angazhuan që ditën e parë për të realizuar debate sipas rregullave të veçanta që mësuan në trajnim prej të cilave më kryesorja është “Përdorni fjalë të buta dhe argumente të forta”.

Projekti Re-debate, po zbatohet në 48 gjimnaze të Shqipërisë me përfshirjen e 940 të rinjve të cilët në mënyrë të vazhdueshme do të trajnohen mbi debatin, teknikat e të debatuarit, ndërtimin e argumenteve bindëse që të çojnë drejt fitores së kauzës që mbron. Pas përfundimit të trajnimeve, të rinjtë do përballen në debate kundrejt njëri-tjetrit për të shpallur gjimnazin fitues.